Arbëri

Aliçkaj: Trump më i rrezikshëm, por me Harrisin mund të vazhdojë status-quoja për çështjen me Serbinë

Anëtari i Bordit të lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane, Agim Aliçkaj, derisa ka treguar se si mund të ndikojë në Kosovë fitorja e të dy administratave në Amerikë, ka thënë se cilindo rezultat, Kosova nuk duhet ta marrë me frikë, pasi sipas tij, në anën strategjike SHBA-ja asnjëherë nuk do të lëshojë dorë nga Kosova.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Aliçkaj ka thënë se ajo që mund të ndodhë me administratën Harris është vazhdimi i status-quos lidhur me cështjen e Kosovës dhe Serbisë. 

“Nëse fiton znj.Harris, mendojmë se do të jetë më lehtë për të punuar me ta, ndonëse administrata Biden nuk ka bërë për Kosovën dhe çështjen e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë sa duhet, pasi ia ka lënë këtë çështje Evropës. Më e keqja që mund të ndodhë me administratën Harris është të vazhdojë një status-quo edhe për një kohë derisa të lodhen edhe Evropa edhe Amerika me sjelljen destruktive e agresive të Serbisë”, ka thënë ai. 

Ndërsa administratën Trump, ai e ka quajtur pak më të rrezikshme, për arsye se veprimet e tij mund të jenë më të shpejta dhe të paparapara.

“Pa marrë parasysh cila administratë dhe cila qeveri vjen në Kosovë, nuk guxojmë të bëjmë lëshime ndaj Serbisë, janë bërë lëshime mjaft, nëse formohet Asociacioni para se të na njoh Serbia dhe para hyrjes në NATO, ajo do të ishte vetëvrasje për Kosovën, do të ishte gabim trashanik sepse Serbia do të vinte në një nivel më të lartë dhe në një pozitë më të mirë dhe atëherë do të bënte edhe kërkesa të tjera. Administrata Trump është më e rrezikshme, por nuk i dihet asnjëherë, mbase e gjen një zgjidhje të shpejtë që t’i vihet fundi këtij konflikti”, ka shtuar ai. 

Aliçkaj ka shtuar se ish-emisari Grenell paraqet rrezik për çështjen e Kosovës, pasi është kthyer plotësisht në anën e Serbisë. 

“Sa i përket emisarit Grenell, ai fatkeqësisht është kthyer plotësisht në anën e Serbisë, ai është i korruptuar nga ana e Serbisë. Nuk mendoj se presidenti Trump është i njëjtë. Grenelli paraqet rrezik për çështjen e Kosovës sepse ai do të tentojë të vazhdojë sepse edhe është hakmarrës. Ai e urren qeverisjen e tashme me në krye Kurtin. Me administratën Trump, ai një pozitë do ta ketë, nuk besoj se do të jetë e lartë, por do ta ketë sepse Trumpit ia ka siguruar votat e serbëve”, është shprehur ai.