Anëtari i Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, ka thënë se pret nga presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump që të jetë më aktiv në dialogun Kosovë – Serbi.
Aliçkaj për “60 Minuta” të KTV-së tha se ka pritur nga administrata e Joe Bidenit që të ishte më aktive në dialog.
“Bazuar në gjitha informatat që kam dhe po ashtu edhe dëshira ime është, që kjo administratë e Trumpit të jetë më aktive në dialogun Kosovë – Serbi. Administrata Biden ia kishte lënë më shumë këtë çështje Evropës, ndonëse nuk është se nuk ishte angazhuar. Por, ia la Evropës t’i udhëheq proceset...Si komunitet por edhe kombi ynë shqiptar, ka pritur më shumë nga presidenti Biden dhe administrata e tij...Ne na intereson të zgjidhet problemi në mënyrë të drejtë, asgjë më tepër. Serbia do me zgjidh problemin në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Aliçkaj. “Ne presim që Trump dhe administrata e tij të jetë më aktive dhe e drejtë”.
Ai ka thënë se administrata Trump pret që “Qeveria e Kosovës të jetë e fortë, t’i zbatojë ligjet, drejtësinë, të kujdeset për të drejtat e njeriut të komuniteteve, ta zhvillojë ekonominë e ta ngrisë shtetin.
Ndërkohë Aliçkaj ka thënë se në Serbi një pjesë e politikanëve janë “të sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe nga dëshira për ta dominuar Ballkanin, sa që shohin ëndrra”.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dallon nga “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
“I vetmi dallim është se Millosheviqi e ka përdorur forcën e ky s’ka mundësi ta bëjë këtë”, ka thënë Aliçkaj.