Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Agim Aliçkaj, ka thënë se politikanët kosovarë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos hyjnë në konfrontim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Sipas tij, Trumpi është inatçor, andaj duke e parë edhe takimin e tij të fundit me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky - të cilin e përzuri nga Shtëpia e Bardhë - te presidenti amerikan kanë shumë ndikim marrëdhëniet personale.
“Politikanë tanë, qeveritarët, diplomatët publikisht mos të hyjnë në konfrontim me Administratën Trump dhe me presidentin Trump. Ai është shumë inatçor prandaj duhet pasur kujdes. Publikisht duhet në mënyrën më diplomatike. Siç e patë edhe me Zelenskyn, ka shumë ndikim edhe marrëdhënia personale”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shtuar se opozitarët në Kosovë duhet ta përkrahin Qeverinë, nga kushdo që formohet, dhe jo të japin mesazhe të tjera gjatë vizitave në Amerikë.
“Ne megjithatë, populli i Kosovës e ka dhënë fjalën e vet, kjo qeveri duhet te përkrahet kur është ne relacion me SHBA-në, është shume gabim nëse opozita vjen në Amerikë dhe jep mesazh tjetër të mundësisë që të bëhen kompromise të shtuara për Serbinë, nuk guxojmë ta bëjmë atë punë, është akt shumë i rëndë kundër interesave të popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Aliçkaj ka shtuar se Trumpi nuk është i interesuar për luftë në Kosovë.
“Trumpi nuk është i interesuar për luftë në Kosovë, mendoj se do t’i thotë Vuçiqit ‘ti mbase dëshiron luftë por nuk mund ta marrësh territorin e Kosovës, nuk ka luftë, dua paqe’”, është shprehur ai.