Partia Demokratike e Kosovës është duke vazhduar me kandidimin e anëtarëve për kryetarë komunash.
KOHA ka mësuar se në Komunën e Istogut, PDK-ja do ta caktojë Ali Nimanajn kandidat për kryetar.
Zyrtarizimi i tij pritet të bëhet gjatë së dielës nga kreu i partisë, Memli Krasniqi.
Aktualisht, Nimanaj është ushtrues detyre i kreut të Degës së PDK-së në Istog, i zgjedhur më 2 maj të këtij viti nga Këshilli Drejtues i Degës.
Bazuar në rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, PDK-ja në Istog kishte pësuar një përplasje pasi anëtarë të strukturave kërkuan shkarkimin e ish-kryetarit të Degës, Lulzim Shoshit.
Emrat e kandidatëve nga partitë e tjera që aktualisht dihen në Istog janë Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se afati për dorëzimin e listave nga subjektet politike është deri të hënën e 16 gushtit.