Amfiteatri i madh i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të hënën ka qenë i vogël për miqtë, familjarët e kolegët në mbledhjen komemorative për fotoreporterin Alban Bujari. Të shumta kanë qenë kujtimet për të: si njeriu i virtyteve të larta, një nga ata që jo vetëm e përjetuan lirinë e Kosovës, por e krijuan atë, apo si nyja që lidhte miqtë e kolegët e shtyllë për familjarët
Të vërtetën e kishte udhërrëfyese si njëri prej atyre që krijoi lirinë, duke qenë fillimisht dokumentues i luftës e më pas edhe i paqes. Virtytet njerëzore në marrëdhëniet familjare e shquanin aq sa edhe në këtë anë la trashëgimi shembull.
Sado që në mbledhje komemorative zgjidhen fjalët më të mira për atë që i kushtohet takimi, në rastin e fotoreporterit Alban Bujari, nuk qe ashtu. S’ka nevojë për lëvdata. Veç duhet zgjedhur momentet a situatat me të. Përshkrimi i jetës dhe veprimtarisë së tij e bënë shembull nga krejt këndvështrimet. Dhe, familjarë, miq e kolegë e bënë këtë të hënën në mbledhjen komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”.
Imazhet e djaloshit në të 20-tat që kishte nisur punën në “Koha Ditore” bashkë me shkrepjet e tij të para, janë shfaqur në dokumentarin “Alban Bujari – dokumentuesi i luftës dhe i paqes”. Fati do të donte që fotografitë e tij të fillimit të karrierës, të ishin ngjarjet më të rëndësishme në historinë e çlirimit të Kosovës. Dokumentari i përgatitur për Bujarin – i cili vdiq të enjten e javës së kaluar pak pa i mbushur 55 vjet jetë – shpërfaq punën e tij me imazhe tashmë artefakte të viteve 1998-1999. Aty vijnë edhe shkrepjet e viteve të mëpastajshme, të kohës kur Kosova u bë e lirë, shpalli Pavarësinë e të plot ditëve të tjera të shtetit më të ri në Evropë. Në 20 minuta, veprimtaria e Bujarit shpalos një pjesë të madhe të “shiritit” të tij jetësor sa i përket profesionit. Likoshani, Qirezi, Prekazi, Reçaku, Rogova e Hasit e shumë drama të tjera të viteve të luftës rrumbullakojnë profilin e Bujarit i cili qe pjesë e “Kohës Ditore” qysh prej kur u bë gazetë ditore më 1997. Imazhet e ditëve të tmerrit kur masakrat qenë të shpeshta, bashkë me ato të ditëve të lirisë, e paraqesin Bujarin si njeriun që angazhohej fort për liri.

“Albani ishte aty për ta bërë të dukshme të vërtetën”
Publicisti e themeluesi i Grupit KOHA, Veton Surroi, ka thënë se për të, mbledhja për të kujtuar Alban Bujarin, për të nderuar jetën e tij është më shumë se kaq. Për të qe mbledhje për ta kremtuar jetën e Bujarit. Ka thënë se kremtohet jeta e një njeriu që e deshi lirinë dhe që e jetoi atë duke e krijuar.
“Liria nuk është një dhuratë – ajo është një akt i vazhdueshëm krijimi. Dhe Albani ishte një krijues i saj, një nga ata që jo vetëm e përjetuan lirinë e Kosovës, por edhe ndihmuan ta ndërtonin. Ai ishte aty me aparatin e tij, me kolegët e tij gazetarë të rinj e të patrembur, duke regjistruar dhe dëshmuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë”, ka thënë Surroi. Alban Bujarin e ka përshkruar si bujar në mënyrën se si e ndante me të tjerët atë që shihte, atë që ndiente dhe atë që besonte se duhej të tregohej. Fotografitë e tij, sipas Surroit, nuk ishin vetëm imazhe, por një dhuratë për të gjithë, dhuratë e së vërtetës, e kujtesës dhe e lirisë së shprehjes.
“Në një kohë kur fjala e lirë ishte e rrezikuar – për më tepër vetë jeta jonë ishte e rrezikuar – kur bëhej trysni e madhe propagandistike e të dhunës që realiteti të fshihej ose të deformohej, Albani ishte aty për ta bërë të dukshme të vërtetën”, ka thënë Surroi. Ka rrëfyer se shkrepjet e Bujarit kishin arritur deri në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ato pamje, sipas Surroit, kishin arritur të tronditnin mendjet dhe shpirtrat e njerëzve më të pushtetshëm në botë.
“Sot, në këtë Bibliotekë Kombëtare, vendin ku ruhet kujtesa e një kombi, ne po shtojmë një kapitull tjetër në këtë kujtesë – një kapitull për Alban Bujarin. Jo vetëm si një fotograf i talentuar, por si një njeri që e kuptoi dhe e jetoi lirinë si një detyrim ndaj së vërtetës dhe shoqërisë”, ka thënë Surroi.

“Pse nuk e bëmë edhe një muhabet?”
Një tjetër kapitull të Alban Bujarit, shkrepjet e të cilit janë publikuar në mediumet më prestigjioze të botës, e ka shpalosur kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi. Ajo ka rrëfyer se si Bujari ishte i pari në ambientet e punës dhe përshëndetja e parë i bëhej atij nga gjithë kolegët në mëngjes.
“Ka qenë një mirëmëngjes në kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë Rexhepi. Ka sqaruar se në gazetari ditët janë plot dinamikë, sfida të shumta e ritëm të shpejtë që merr me vete ata që punojnë në këtë zanat. Por e premtja e javës së kaluar kur i mor vesh se Bujari kishte vdekur, dallonte nga krejt të tjerat.
“Albani ia doli të na bënte ta ndienim ikjen e tij si një vdekje në shtëpi. Ai nuk ishte aty. Ne e shikonim njëri-tjetrin me sy të përlotur e fytyra të ngrysura. Nuk flisnim, por ndienim dhimbjen që e ndanim dhe atë pengun torturues që të rëndon çdoherë kur ke humbur dikë: Pse nuk e bëmë edhe një muhabet? Jo veç në redaksi, ia doli ta bënte çdokënd ta ndiente ikjen e tij”, ka thënë ajo. Sipas saj, Bujari të premten mblodhi të gjithë në një vend dhe mori atë që dha. “Emocionin e sinqertë, respektin e vërtetë dhe lamtumirën e fundit”, ka thënë ajo. Duke folur për peshën që bartte Bujari shkaku i aktivitetit të tij, ka ngritur pyetjen se sa u vlerësuan ai dhe ata që bënë luftën në mënyrën e vet.
“Albani ishte në Likoshan para 27 vjetësh, kreu punën e tij. E ne i mbetëm borxh edhe atij edhe viktimave. Albani jetoi ashtu siç punoi. Fotografia e tij shihej, por nuk fliste, nuk kërkonte gjë”, ka thënë Rexhepi. Derisa ka folur për tregun e sotëm mediatik ka thënë se Bujari kishte zgjedhur diçka tjetër.
“Është krijuar një realitet absurd ku ata që rrezikonin jetën për fakte, garojnë në një mjedis ku parimet e raportimit janë bërë llastik që nuk këputet. Albani ishte profesionist i fotografisë, por nuk e komercializoi atë. Ai qëndroi fotoreporter”, ka thënë Rexhepi. E ka përshkruar Bujarin si njeri, artist të fotografisë, e personazh që kënaqej dhe e gëzonte jetën.
“Albani shijonte detajet, ndërtonte me to dhe përjetonte situatat e thjeshta që shumica e njerëzve nuk dinë as t’i shohin. Duhej ta kishe shok e të kënaqeshe me dhuntitë e tij”, ka thënë ajo.

“Ishte nyja që na lidhte, njeriu që gjithmonë na kujtonte...”
Kolegët që e kujtojnë Bujarin janë pafund. E ata të ditëve të para të punës në këtë profesion që tash janë pjesë edhe me mediave prestigjioze në botë si Nebi Qena, Garentina Kraja, Fisnik Brashi, Gjeraqina Tuhina e Ylber Bjaraktari nëpërmjet një letre të përbashkët kanë nderuar mbi të gjitha mikun e tyre. Në letrën e lexuar nga miku i tyre e i Bujarit, Afrim Vitia, ata kanë shkruar se fillet e jetës së tyre profesionale u ndërthurën qysh në hapat e parë, kur të gjithë nisën nga zeroja, duke u rritur dhe formuar secili në mënyrën e vet.
“Atëherë kur punën e kishim mision, atëherë kur nuk kishim orar, atëherë kur ngushëlloheshim në krahun e njëri-tjetrit, sepse kuptoheshim edhe kur nuk flisnim. E keni parë këto ditë se si ai i dokumentoi këto momente. Nuk na ndau as ne prej historisë së vendit tonë”, shkruhet në letër. Sipas tyre, e bukura e këtij rrugëtimi ishte krijimi i një lidhjeje të thellë, që vitet e distancat fizike mes nuk e zbehën. Si profesionistë të gazetarisë kanë rrëfyer se shpresonin se një ditë, në pleqëri, do të uleshin bashkë dhe do t’i shikonin me zili gazetarët e rinj, entuziazmi i të cilëve do t’u kujtonte ditët e para të tyre në punë e mision.
“Asnjeri nuk e kishim menduar se ato kujtime, që dikur na mbushnin me nostalgji, sot do të na copëtonin zemrën. Njëri nga ne, më i miri mes nesh, u largua shumë shpejt. Shumica prej nesh nuk dëgjoheshim mes vete me muaj, por Albani dëgjohej rregullisht me secilin prej nesh. Ishte nyja që na lidhte, njeriu që gjithmonë na kujtonte, na shihte, na afronte”, shkruhet në letrën që përfundon me “Lamtumirë, miku ynë!”.

“Na mundemi me i mshelë sytë, po ti bre nuk ke mundur”
Rrëfimet për Alban Bujarin e bujarinë e tij, janë plotësuar fort edhe nga perspektiva familjare. Nipi i tij, Mal Maliqi, ka treguar se kishte humbur të atin qysh në vegjëli. Ka rrëfyer se atë zbrazëti të madhe do ta gjente te daja.
“E vërteta është që këtë zbrazëti të madhe të prindit ma ke mbushur ti, dajko, kur na keni marrë në shtëpi me jetu me juve. E ke dhënë dashni pa fund e pa kushte...”, ka thënë ai. Ka vazhduar duke thënë se nuk është ndier pa prind. Sipas tij, këtë dashuri të Bujarit nuk e ka përjetuar veç ai dhe kjo tregon se sa shumë dashuri ka pasur brenda vetes për njerëzit përreth. Ka kujtuar se Bujari çdo mëngjes e çdo mbrëmje ka takuar të ëmën e ia ka bërë qejfin.
“Pavarësisht çka ke kaluar e sa je lodhur, ke qenë prezent, ke qenë shtyllë, ke qenë pilar, ke qenë i gatshëm, i gjindshëm”, ka thënë ai. Duke kujtuar vëllain e të ëmës ka thënë se kur Bujari fliste për dokumentimin e luftës kurrë nuk fliste veç për vete. Ka veçuar imazhet që e bënë perëndimin të intervenojë në Kosovë.
“Na mundemi me i mshelë sytë, po ti bre nuk ke mundur për shkak se çka kanë përjetuar ata sy të kaltër, veç një Zot e din. Po tash pushon i qetë, më në fund në paqe”, ka thënë Maliqi.

“Alban Bujari ka veç ditëlindje dhe se ai nuk do të plaket kurrë”
I biri i Alban Bujarit, Zjarr Bujari, para të pranishmëve që s’i ka zënë amfiteatri i BKK-së, ka thënë se babai i tij pati fatin të jetojë në një periudhë trazire e lufte, gjë që e la një grithë të pashërueshme në shpirtin e vet.
“Prej fishkëllimave të plumbave nëpër pyje e deri tek era e gjakut në masakra gjithandej Kosovës, Babi me fund të luftës e pati edhe një copë të mendjes që palëvizshëm mbeti në këtë kohë”, ka thënë Zjarr Bujari që u lind pas luftës bashkë me të vëllain Sharr Bujari.
Babanë dhe nënën Jeta Dida-Bujari, i ka përshkruar si të lindur për njëri-tjetrin.
“Vitet shkuan e erdhën, e përmes veprës si dhe jetës së përditshme, Babi tregoi kualitete të cilat e përfaqësojnë një burrë përnjëmend... Ai ishte një burrë besnik, i ndershëm, i sinqertë, modest, kategorik e parimor, e madje edhe mjaft kokëfortë. Këto janë krejt virtyte të cilat na mësoi e na barti Babi të gjithëve, e veçanërisht, mua, Sharrit e Malit”, ka thënë ai, duke shtuar se Alban Bujari ka veç ditëlindje dhe se ai nuk do të plaket kurrë.

“Albani ishte sytë tanë për realitetin, duart tona për drejtësinë dhe zëri ynë për të pathënat”
Kurse bashkëshortja e Bujarit, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se në këtë mbledhje komemorative po kujtohet e nderohet një njeri që ishte më shumë se një bashkëshort, baba, bir, vëlla dhe mik.
“Si mund të flas për një zemër aq të madhe, për një shpirt aq të lirë dhe për një mendje aq të kthjellët? Si mund të përmbledh në fjalë dashurinë, përkushtimin dhe forcën e një njeriu që nuk ndaloi kurrë së dhëni dritë e të vërtetë për këtë botë? Albani ishte sytë tanë për realitetin, duart tona për drejtësinë dhe zëri ynë për të pathënat. Nëpërmjet fotografive të tij, ai na tregoi jo vetëm dhimbjen dhe tragjedinë, por edhe shpresën dhe guximin e një populli që kurrë nuk u dorëzua”, ka thënë ajo. Ka treguar se për familjen ai ishte shumë më tepër se një fotograf. E ka përshkruar si njeriun që ia mbushi zemrën me dashuri, që ia mbajti dorën në ditët e vështira, e që e bëri të qesh në momentet më të thjeshta të jetës.
“Ai ishte babai i mrekullueshëm i Zjarrit dhe Sharrit, njeriu që i mësoi fëmijët tanë të jenë të ndershëm, të guximshëm dhe të mos kenë frikë të ëndërrojnë. Ai na la një trashëgimi të pashlyeshme – jo vetëm në botën e gazetarisë, por në zemrat tona”, ka thënë Dida-Bujari.

Mungesën e Bujarit e ka parë si të pamatshme e dhimbjen për humbjen të pafundme.
“Por në këtë dhimbje ka edhe diçka të shenjtë: kujtimi i tij do të jetojë gjithmonë, në secilën fotografi që ka bërë, në secilën histori që ka treguar, në secilin moment që kemi ndarë me të”, ka thënë ajo. Ka ngushëlluar familjarët, miqtë e kolegët. Ka thënë se e di që dhimbja është e madhe, por ka kërkuar që ai të kujtohet me dashuri, sepse dashuria e tij për familjen e shoqërinë nuk do të shuhet kurrë.
“Albani nuk është më fizikisht me ne, por ai është në çdo kujtim, në çdo buzëqeshje, në çdo fjalë të pathënë dhe në çdo frymë të jetës sonë. Ai do të jetë gjithmonë pranë nesh – në dritën e mëngjesit, në tingujt e erës, në prehjen e natës. Faleminderit që jeni këtu sot, faleminderit që e keni dashur, faleminderit që nuk e harroni. Albani im, do të të dua përjetësisht!”, ka thënë Dida-Bujari.
Ceremonia që është hapur me lojën e Andi Durakut në piano ka rrumbullakuar një pjesë të jetës së Alban Bujarit. Është hapur libri i zisë tok me kujtimet për kapitujt e tij profesionalë e njerëzorë që janë të shumtë. Janë aso kapitujsh që i bashkon e vërteta, bujaria e liria. Për krejt këto duhet fillimisht sakrificë e madhe. Aso e njerëzve që shoqëria i ka shembull. Si Alban Bujari.















