Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Beograd, një nga panelistët ka identifikuar veriun e Kosovës si vatrën më të nxehtë për shpërthim, në gjithë rajonin. Aty është shprehur edhe brenga se në muajt e ardhshëm mund të ketë më shumë mundësi për aventurizmin e liderëve në rajon
Në Kosovë ka potencial më shumë sesa në Bosnjë dhe Hercegovinë për shpërthim të situatës, është vlerësuar të premten në Konferencën e Sigurisë në Beograd, në një panel ku është diskutuar mbi marrëdhënieve transatlantike.
Hulumtuesi i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, Milan Niç, ka theksuar se meqë ka një luftë të madhe në Evropë, akterët lokalë po i shtyjnë limitet për të parë se deri ku mund të shkojnë dhe se kjo po ndodh edhe në Kosovë.
“Veriu i Kosovës është vatër me e nxehtë se Bosnja e Hercegovina, që janë dy situata fragjile. E tëra është mbi sigurinë që ofron NATO-ja dhe mbi përkushtimin amerikan dhe praninë e saj në Evropë, që do të vihet në pikëpyetje me zgjedhjet presidenciale në vitin e ardhshëm”, ka thënë Niç. “Ka lojë të pritjes mes liderëve lidhur me rezultatin e luftës në Ukrainë dhe zgjedhjet në ShBA”.
Folësit në panel theksuan se roli i NATO-s është thelbësor për arkitekturën e sigurisë në Evropë, e edhe në Ballkanin Perëndimor. Ata kanë theksuar se e ardhmja e vendeve të këtij rajoni duhet të jetë në këtë aleancë dhe në BE. Aty janë shqyrtuar disa aspekte të sigurisë si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që vëmendje i është kushtuar edhe zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Eric Nelson nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” i ka dhënë jehonë deklaratës së ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se e ardhmja e rajonit duhet të jetë në BE e NATO.
“Mendoj se ambasadori Hill dje e përshkroi mirë se e ardhmja më e mirë për Ballkanin Perëndimor është që të gjitha shtetet të jenë anëtarë të NATO-s dhe BE-së, dhe kjo duhet çuar tutje nga anëtarët e NATO-s, duke kujtuar se ky është vizioni dhe duke kujtuar se premtimi i NATO-s është që siguria kolektive është e dobishme për të gjithë. Ky realizim duhet të bëhet edhe në Serbi”, ka thënë Nelson.
Por, Milan Niç theksoi se deri para një viti loja e liderëve të Kosovës e Serbisë ka qenë më e parashikueshme, dhe se aktualisht sheh elemente që mund të jenë jashtë kontrollit.
“Brenga ime personale, është se kur e shikoj situatën në javët e fundit, shoh elemente jashtë kontrollit, sepse cila është e ardhmja e dialogut mes Kosovës e Serbisë pas ngjarjeve në Banjskë. Edhe pse e gjitha është për Asociacionin, dëgjova se Quinti do të kthehet në rajon me përpjekjet për rifillimin e negociatave për Asociacionin. A mund ta bëjnë këtë pas zhvillimeve të fundit, mbetet të shihet. Pra, ka shumë të panjohura. Dhe duke ecur përpara drejt vitit 2024, do të ketë më shumë mundësi për aventurizmin e liderëve në rajon”, ka thënë ai.
Në këtë rrafsh, Eric Nelson ka përsëritur qëndrimin se perspektiva më e mirë për rajonin është integrimi në NATO e BE, që do të mundësonte edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
E, sipas Niç, situata në zhvillim në veri të Kosovës nuk ka filluar me ngjarjet në Banjskë, e të cilat, sipas tij, mund të kenë qenë kalkulim i Beogradit për ta joshur KFOR-in, që të zëvendësojë forcat policore të Kosovës.
“Ka qenë një krizë me ngritje e zbritje për më shumë se një vit, derisa BE-ja dhe ndërmjetësi amerikan Gabriel Escobar po përpiqeshin për një marrëveshje, të cilën në Ohër e arritën në letër, ndërkohë që në terren ka eskalim. Kishte një vendim që serbët të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, të bekuar apo shtyrë nga Beogradi, dhe mendoj se ishte një gabim i madh sepse kjo krijoi një vakum në veri të Kosovës që u shfrytëzua nga qeveria Kurti duke dërguar njësitë speciale të Policisë”, ka thënë Niç. “Dërgimi i tyre në bazat në veri, ndryshoi çdo gjë. Pastaj incidenti me armë në Banjskë, ndoshta tentimi për rebelim apo cilado që ishin planet, mund të spekulojmë, na kthejnë që të shikojmë thelbin”.
Ai ka vlerësuar se, bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës, mandati i Komandantit të KFOR-it është pothuajse i pakufizuar.
“Ai mund t’i dërgoj trupat e KFOR-it në veri”, ka theksuar Niç. “Ndoshta ka qenë tentim i gabuar i Beogradit që ti josh trupat e KFOR-it për të ofruar siguri në veri për serbët e atjeshëm, që i shohin njësitë speciale të Kosovës dhe ndihen të pasigurt”.
Tema qendrore e edicionit të dytë të Konferencës së Sigurisë në Beograd që është përmbyllur të premten, ka qenë “Rindërtimi i rendit global”, me panele diskutimi të dedikuara për luftën në Ukrainë, sigurinë në rajon, zgjerimin e BE-së në 20 vjetorin e Samitit në Selanik, konceptin e shtetit të kapur dhe tranzicionin e gjelbër.