Pasi 17 nxënës të Fushë-Kosovës u vetlënduan duke iu përgjigjur një sfide virale në Tik-Tok, prindërit përdorën rrjetet sociale për t’u mobilizuar, në funksion të parandalimit rasteve të reja. E avokues të të drejtave të fëmijëve bënë thirrje për zbatimin e një udhëzimi administrativ, që parasheh masat për mbrojtjen e fëmijës ndaj faqeve të internetit me përmbajtje që ua dëmtojnë shëndetin dhe jetën.
Sfida virale e TikTokut, për të cilën u vetëlënduan 17 nxënës të Fushë Kosovës, ngriti alarm te prindërit dhe tek avokues të të drejtave të fëmijëve.
Edhe ata i përdorën rrjetet sociale për t’u mobilizuar, në funksion të parandalimit rastet si ky.
“Është shumë shqetësuese dhe prindërit duhet të kenë parasysh t’i monitorojnë kohën se sa po qëndrojnë në telefon dhe rrjete sociale për shkak që qëndrimi në to, nuk sjellë asnjë dobi”, ka thënë një nga prindërit, Fidajete Shala.
“Kjo gjendje është alarmante dhe rrjetet sociale sa më shpejt duhet të ndalohen për shkak se në rrjete sociale fëmijët i marrin mësimet jo të mira”, ka shtuar Blerina Zogaj.
Psikologu Arbër Zeka thotë se sfidat si kjo në TikTok, tregojnë se rrjetet sociale rrisin pasigurinë për fëmijët.
“Sjelljet devijonte si në këtë rast vetëlënduese janë sjellje të cilat janë mësuar nga dikush tjetër, nuk janë sjellje që kanë ardhë prej mendjes tyre. Shumë shkolla e kanë ndaluar përdorimin e telefonit, mirëpo prindërit duhet mësuar se si t’i kontrollojnë telefonat e fëmijëve të tyre, sepse nuk duhet që fëmijët t’ia kenë lirinë e tyre për telefona”, ka thënë Zeka.
Për ndikimin që rrjetet sociale kanë te nxënësit, shprehën shqetësimin edhe përfaqësues të organizatave që avokojnë për të drejtat e fëmijëve.
Pajtim Zeqiri, shef i zyrës së “Teres des homes” në Kosovë, kërkoi veprime nga institucionet.
Në këtë rast, është jetike të fillojë zbatimi i Udhëzimit Administrativ “Për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës”, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës”, është shprehur Zeqiri.
E në organizatën Cipof Childproof, bënë thirrje për komunikim më të madh mes prindërve dhe mësimdhënësve.
“Ora e kujdestarisë të organizohet dhe pikërisht të trajtohen këto tema, ku këtu mund te japin kontribut edhe prindërit të cilët vijnë nga profesione të ndryshme dhe mund të ndajnë kohë për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të kalojnë këto moshat e ndjeshme sa më lehtë dhe shëndetshëm, si në aspektin fizike, edhe në atë emocional”, kanë thënë nga kjo organizatë.
Për rastin në Fushë-Kosovë, Policia ka nisur hetimet, por detaje nuk ka dhënë.
Edhe më herët, fëmijët janë bërë pjesë e sfidave virale në rrjete sociale, nëpërmjet të cilave janë vetëlënduar. Në vitin 2017, Loja “Balena Blu”, e projektuar nga disa rusë, u ka kushtuar me jetë disa të rinjve.
Raporti: Donisa Fazliu