Arbëri

Aktivistja e të dhunuarave të luftës

Në pranverën e vitit 1999, Feride Rushiti ishte njëra prej dhjetëra grave që po ndihmonin refugjatët në Kukës, sidomos fëmijët e gratë, për t’i tejkaluar traumat e dhunës. Por, edhe pas luftës, Rushiti nuk do t’i ndahej punës për t’ua lehtësuar dhimbjet viktimave të torturës. Veçmas atyre të dhunës seksuale

Aktiviteti vullnetar në luftë do t’ia ndryshonte planet profesionale studentes së re, në prag të diplomimit në mjekësi. Në pranverën e vitit 1999, Feride Rushiti ishte njëra prej dhjetëra grave që po ndihmonin refugjatët në Kukës, sidomos fëmijët e gratë, për t’i tejkaluar traumat e dhunës. Janë dëshmi e rrëfime që nuk i shkoqen nga mendja asnjëherë. Rushiti ndan njërin prej tyre.

“Më kujtohet një grua për të cilën UNICEF-i më thirri me i dhënë ndihmë për fëmijë dhe thoshin që është e traumatizuar, dhe është viktimë e dhunimit seksual. Ajo ishte vendosur në kampin italian në Kukës dhe rreth asaj tende qëndronin qindra gazetarë ndërkombëtarë”, ka treguar Rushiti në një intervistë të gjatë prej një orësh në emisionin “Desku” të KTV-së. “E takoj atë gruan dhe në formë telegrafike kishte dhënë intervista dhe fliste në vetën e dytë. Thoshte se i ka vdekur fëmija dhe nuk ka mund me varrosë, i ka mbetur rrugës. E pyeta se ku e ke burrin, ajo tha se edhe burrin ia kanë marrë rrugës, aty fillova edhe unë të qaj e pastaj e kemi përqafu njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Nuk i përmban dot lotët.

“Të dhunuarat po vdesin pa rrëfyer”

Rushiti ka thënë se atëherë nuk kishte mundësi të mbante shënime. Asnjëherë tjetër nuk u takua me viktimën, porse e torturuara nga forcat serbe ishte dërguar pastaj në njërin nga vendet e perëndimit për trajtim.

Por, edhe pas luftës, Rushiti nuk do t’i ndahej punës për t’ua lehtësuar dhimbjet viktimave të torturës. Veçmas atyre të dhunës seksuale.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, Rushiti hapi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, duke ofruar trajtime të specializuara për viktimat. Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale së pari kishin nevojë për një mjedis të sigurt, për t’i rrëfyer tmerret e tyre.

Në Kosovë llogaritet se rreth 20 mijë gra e burra u dhunuan seksualisht gjatë luftës së fundit. Të rralla kanë qenë rastet kur të dhunuarat janë përkrahur për të dëshmuar publikisht, si në rastin e Vasfije Krasniqit.

Vetëm në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që të dhunuarave t’u njihej statusi i viktimës. Kështu iu mundësua të marrin pensionin ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka pranuar 1.361 aplikacione për pension.

“E kemi një Vasfije, Shyhreti më pastaj edhe një tjetër që s'është gjallë më në mesin tonë. Ndërsa të tjerat janë atje pa emër fare. Edhe në Komision mënyrën se qysh duhet të aplikojnë është si argument apo fakt kryesor, e kemi menduar është narrativi i përjetimit të luftës. Pse rrëfimi i luftës, sepse shumica nga ato/ata nuk posedojnë asnjë dokument”, ka thënë Rushiti.

Aplikimi i komplikuar

Ajo ka bërë të ditur se formati i aplikimit është i ndarë në katër pjesë: të dhënat e përgjithshme, demografike, pastaj është rrëfimi i luftës, nëse kanë qenë pjesë e gjykatës apo ndonjë organizate, dhe në fund është një aneks ku thuhet që duhen dokumente shtesë. Ato mund të kenë dokumente shtesë, një certifikatë mjekësore, që ka qenë e trajtuar në raport me dhunën që i është ushtruar gjatë luftës, mund të ketë një raport nga psikologu, apo që mund të ketë edhe dëshmitarë.

Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se ndryshe nga veteranët e luftës, të cilët e vendosin me krenari certifikatën në mur, viktimat e dhunës mundohen ta fshehin që të mos bjerë as në duar të familjarëve.

“Vetë fakti verifikim, mendoj se është denigrues dhe jo i dinjitetshëm, sepse nuk flitet këtu për verifikim. Si të bëhet verifikimi. Njerëzit që e marrin certifikatën e veteranit ata e vendosin diku në mur aty dhe brez pas brezi flasin me krenari për të kaluarën e vet”, ka ndarë Rushiti histori të të mbijetuarave të dhunës seksuale. “Ndërsa viktimat e dhunës jo për 230 euro, për 2 milionë euro, se s'po di nuk ka vlerë monetare prapë se prapë kur ajo e merr atë e vendos nën tavolinë diku, bile nganjëherë e kanë të vështirë edhe në familje me e nda edhe duhet me i shti nëpër programe ekonomike për me e arsyetuar atë shumë në familje”, ka thënë Rushiti.

Mirënjohje ndërkombëtare

Deri tash, pensionin e marrin 894 persona. Prej tyre, 31 syresh janë burra. Nëpërmjet qendrës së Rushitit, deri më tani kanë aplikuar 337 persona për verifikimin e statusit. 30 janë burra. “Janë 40 burra që vijnë në organizatë, e kanë pasur edhe më të vështirë ta pranojnë trajtimin psikologjik, por edhe me ata që kemi punuar, unë ndihem mirë që po përfitojnë edhe nga skema pensionale”, ka thënë ajo. “Ajo ka thënë se disa nga ata që kanë shkuar në organizatë, rrëfimin nuk e kanë ndarë as me bashkëshorten.

“Ky krim ka ndikim edhe te partneri, pasi një marrëdhënie seksuale nëse nuk është marrëdhënie e shëndoshë mund të provokojë edhe tek akti i dhunimit. Janë ndihmu me stafin profesional, dhe pas 20 vjetësh kemi arritur të kemi takimin e përbashkët me burra, sepse me gra e kemi pasur”, ka thënë ajo, duke shtuar se takimi është mbajtur në tetor të këtij viti.

Rushiti ka shpjeguar nga ka rrjedhur shifra e afro 20 mijë të dhunuarve në Kosovë.

“Ky numër rrjedh nga organizatat ndërkombëtare, rrjedh nga CDC, është qendër e njohur tash në Atlanta që po merret me statistika të COVID-it. Atëkohë ka qenë i panjohur si mekanizëm ndërkombëtar. Është bërë një studim me grupet e dala në vendet fqinje, kryesisht të zhvendosur prej Kosovës. Edhe nuk ka qenë qëllimi me pa numrin e personave të dhunuar. Por, një nga pyetjet ka qenë a keni qenë dëshmitar apo të dhunuar gjatë luftës. Dhe aty ka rezultuar prej mostrës reprezentative rreth 1200-1300 për Kosovën, e dhënë statistikore, ka dalë përqindje 4.4. Pastaj kur shumëzohet me popullatën e përgjithshme shkon në 23 mijë, bile në deri 40 mijë mund të shkojë. Ne e kemi marrë 20 mijë, jemi lidhur me atë studim realisht, ka qenë studim i organizatave ndërkombëtare, nuk ka qenë i atyre lokale, e as i institucioneve të Kosovës, pasi ato realisht nuk janë marrë fare me këtë pjesën e dëshmive”, ka thënë Rushiti.

Rushiti u nderua vjet për angazhimin e saj të vazhdueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me Çmimin ndërkombëtar të grave të guximshme. Mirënjohja amerikane përkoi me kohën kur Qeveria e Kosovës filloi më në fund t’ua jepte pensionet viktimave të dhunës seksuale.

Në ditën kur e mori Çmimin, Rushitit iu kujtuan momentet kur dëgjonte dëshmitë e viktimave të dhunës së forcave serbe.

“Dhunimi në vetvete është si njëfarë lloj vullkani që është i pandezur, por në çdo moment mundet të pëlcasë dhe të dalë në sipërfaqe. Është një bombë e kurdisur te këto gra dhe te këta burra. Ka momente që përtej se e kanë ndrydhë, ajo fillon të zhvillohet në forma të ndryshme, qoftë me çrregullime psikosomatike, që ato janë vazhdimisht pjesë e vizitave mjekësore dhe nuk arrijnë tek asnjë përfundim. Kanë çrregullime të shëndetit mendor, psikologjik, nuk funksionojnë mirë”, ka thënë Rushiti.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF-ja dhe Ambasada suedeze në Kosovë).