Valon Ramadani thotë se e ka vërtetuar vetë se njeriu është më i fortë se guri. Para se të nisej nga shtëpia për të kryer ndonjë veprim protestues, ishte i vetëdijshëm se e prisnin ndërhyrjet brutale e arrestimet e policisë vendore e ndërkombëtare. Ai dhe vëllai binjak, Driton Ramadani, 34 vjeç, aktivitetin e nisën me shkrimin e grafiteve “JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE”.
“Valoni ka lindur për së dyti”, thekson babai i tij, Naim Ramadani.
Valon Ramadani ende i vuan pasojat e gazit lotsjellës të para trembëdhjetë vjetëve. E ka thuajse të pafuqishme dorën e djathtë dhe ka telashe me njërin sy. Probleme i shfaqen në artikulim të fjalëve nëse i lodh muskujt e gjuhës dhe buzëve. Gazi lotsjellës i kishte shkaktuar probleme në tru dhe në boshtin kurrizor. Megjithatë, babai i tre fëmijëve nuk është pishman për veprimet e veta, shkruan Koha Ditore.
“Unë po të kallxoj që gjithnjë, sa herë kam dalë në aktivitete, e kam ditë se mundem edhe me vdekë. E kam ditë se mund të mos kthehem i gjallë në shpi. Por ja e ke kry aktivitetin, ja s’je kthy i gjallë te shpia”, thekson Valon Ramadani. Madje, nuk e përjashton mundësinë që të organizojë aktivitete protestuese edhe kundër Qeverisë së re të Albin Kurtit. Megjithatë, tash për tash nuk ka kush që ia lëkund besimin për kryeministrin e ri. Ramadanëve nuk ua këput rrëfimin as zhurma e makinave poshtë dritareve të shtëpisë, ku ishte hapur zyra e parë e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj.
Lidhje e nyjshme
Të nyjshme e përshkruan lidhjen me Lëvizjen Vetëvendosje. Gjerë e gjatë rrëfen kronologjinë e ngjarjeve të 10 shkurtit të përgjakshëm të vitit 2007. Ishte afër Arben Xheladinit, kur policët e UNMIK-ut vranë Xheladinin e Mon Balajn dhe plagosën shumë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, që po kundërshtonte Planin Ahtisaari, me të cilin parashikohej pavarësi e kushtëzuar.
Vëllezërit binjakë, Driton e Valon Ramadani, ishin në radhët e para të protestave. Kishin thithur sasi të madhe të gazit lotsjellës. Valoni do të ndiente pasojat serioze tek pas tri ditësh, ani pse mjekët në ambulanca publike e private në Ferizaj i kishin thënë se s’kishte rrezik për jetën. Më 13 shkurt 2007, Valon Ramadani do ta humbte vetëdijen. Nuk do t’i kthehej për shtatë muaj me radhë. Familja kishte refuzuar rekomandimin që të dërgonte të birin në Beograd për shërim. “Thashë, ma mirë le të vdesë këtu”, thekson Naim Ramadani.
Një pikë loti e të birit në shtrat ishte shenjë e shpresës së madhe. “Aa, vallahi boll vështirë, por prindi nuk guxon me hup shpresën se nuk ka me iu çu fëmija”, thotë nëna Zylfije, e cila nuk do t’i ndahej të birit nga shtrati edhe për një muaj e gjysmë pas kthimit të vetëdijes.
“Unë isha mësuar me Naimin, nuk ish ai problemi”, thekson Zylfije Ramadani pas rimerr veten, teksa shikimin e kthen kah burri, i cili kishte vuajtur katër vjet burgjeve të Kosovës dhe Serbisë për rolin e tij në protestat e 1981-s për Kosovën Republikë.
Dhjetëra e mijëra euro kishte kushtuar shërimi i Valonit. Njëzet mijë euro u deshëm vetëm për një palë analiza në Francë. “U jam mirënjohës të gjithë njerëzve dashamirë”, thekson Valon Ramadani. “Baba e ka qit edhe shtëpinë në shitje, por s’e kanë leju farefisi”, kujton ai. “Erdh Haxherja (kunata,v.j.) dhe e ka heqë tabelën. Tha: Pa ra na Ramadanët krejt përtoke, s’ki me shitë”, e plotëson baba Naimi.
Familja Ramadani ngulmon që të falënderohen edhe mjekët Shemsedin Dreshaj dhe Teuta Doda në Repartin e Infektives në QKUK. “E kanë këqyrë jashtë normales”, thotë Naim Ramadani.
“Ky n’spital pa vetëdije, ai tjetri n’rrugë s’nalej”
Në kohën kur prindërit, farefisi dhe dashamirët po përballeshin edhe me presionin financiar për medikamentet e shtrenjta për Valonin pa vetëdije, sfidoheshin prej Dritonit që nuk po hiqte dorë prej aktiviteteve të Vetëvendosjes. Dritoni tani jeton me familje në Gjermani.
“Dritoni nuk e ka ndalë aktivitetin as gjatë asaj kohe. Edhe qikat, Majlinda, Albulena, Edona. Majlinda nuk iu ka nda vëllaznive kurrë”, shton Zylfije Ramadani, teksa me lëvizje koke merr miratimin e burrit dhe Edonës, e cila jeton në Francë. “Ne gjithnjë kemi dalë në protesta, edhe kur kemi qenë fëmijë. Më kujtohen protestat me çelësa e me pipza paraluftës”, thotë Edona, 33 vjeçe.
Zylfije Ramadani është motër e Riza Xhaklit, koordinatorit të parë për Ferizaj të VV-së. Naim Ramadani ua kishte dhënë aktivistëve të parë ferizajas çelësat e lokalit në katin përdhese pa asnjë kompensim. “Aty pesë vjet kemi qëndru se VV-ja atëherë nuk kishte fonde. Nana na ka ba bukë e na ka pru çaj”, thekson Valon Ramadani.
Ai thotë se ishin rritur në familje me frymë patriotike. Stërgjyshi i tyre ishte ballist. Xhaxhai i aktivistëve binjakë, Ismet Ramadani, ishte njëri prej organizatorëve të dënuar me burg për protestat e ’68-s në Ferizaj. Gjatë bombardimeve të NATO-s do të arrestohej e vritej nga regjimi serb. Tani rruga që zgjatet deri te lidhja e “Epopesë së UÇK-së” dhe “Naim Bekës”, mban emrin e tij.
“E kemi të kultivuar prej familjes me deshtë vendin”, thotë Valon Ramadani. “Gjithnjë, tanët, i ka lidhë çështja atdhetare. Çdoherë u janë bashkëngjitur çështjeve të kohës”, thekson Naim Ramadani.
“Krenaria e Tiranës është Atdheu”
Ndërkohë Atdheu, djali i Valonit, hyn e del nga salloni derisa luan me nipat e mbesa në korridorin e madh. Gjyshi ia përkëdhel flokët teksa tregon historinë e emrave të fëmijëve të Valonit. “Krenaria e Tiranës është Atdheu”, thotë ai, duke na e nxitur kureshtjen. “E madhja është Krenarja, mandej Tirana e Atdheu”.
Naim Ramadani thotë se pas luftës nuk u respektua gjaku i dëshmorëve. “Me të thanë të drejtën, pas luftës është shkelur gjaku i dëshmorëve. Aty e kam pa se njerëzit i shkelën të gjitha parimet kombëtare. Ata që e kapën pushkën, e për atë kam qenë i zhgënjyer se u betuan në flamur se do të bashkojnë të gjitha trojet shqiptare”.
Gruaja është më optimiste. “Jo, jo se gati është”.
Naim Ramadani e sheh ardhjen e Kurtit në majën e pushtetit si shpresë. E ka takuar disa herë gjatë kohës sa e kishte Valonin të shtrirë në spital.
Valon Ramadani thotë se ishte përballur me presion të ndërkombëtarëve e vendorëve pas kthimit të vetëdijes që të nënshkruante pretendimin e hetuesisë se Kurti ishte fajtor për vrasjen dhe plagosjen e aktivistëve në protestën e 10 shkurtit 2007. “Më thoshin nënshkruaje, edhe i merr dhjetë mijë euro për pesë vjet”, thotë ai.
Në raportin e 16 prillit 2007, prokurori special i UNMIK-ut, Robert Din konkludonte se “provat që kemi deri tani çojnë në përfundimin se vdekjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit kanë qenë të panevojshme dhe të shmangshme. Duket se nuk ka asnjë arsyetim për qëllimin në kokë të Mon Balajt dhe në kokë të Arben Xheladinit ose në gjoks të Zenel Zenelit”. Aty nxirret gjithashtu përfundimi tjetër se “përdorimi i fishekëve të gomës atë ditë mund të ketë qenë i paarsyeshëm dhe i papërshtatshëm në ato rrethana”.
Policët rumunë, që vranë Balajn e Xheladinin, ikën tinëz pas disa javësh. Publikisht u dekoruan me medalje nga shteti rumun për misionin e tyre në Kosovë.
Valon Ramadani ende po i vuan pasojat e gazit të shkrepur prej tyre. Megjithatë beson fort se më nuk do të ketë nevojë për protesta për mbrojtje të interesave të Kosovës. Ani pse e kishin krahasuar me “shpellar” për aktivitetet në Vetëvendosje, nuk e ka ndërmend t’i çojë duart prej saj. Shpreson ta përjetojë bashkimin kombëtar.