Aktivistë të mjedisit i janë drejtuar Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë të Austrisë që të hetojë dhënien e lejeve për hidrocentrale në Kosovë, si dhe kanë kërkuar fillimin e masave për largimin e tyre. Për ndaljen e dëmtimit të natyrës kanë nisur edhe një peticion
Për ndërtimin e kundërligjshëm të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit, disa organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar të enjten me ankesë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë të Austrisë.
Aktivistët kanë thënë se ankesa është hartuar për katër hidrocentrale në “Sharr”, që mes tjerash kanë shkelur parimet e parkut kombëtar dhe me punën e tyre kanë pasur ndikime negative në mjedis.
“Kërkesa jonë te Komuniteti i Sekretariatit të Energjisë është që të fillojnë hetimet ndaj mënyrës së dhënies së lejeve të këtyre hidrocentraleve si dhe të fillojë masat e largimit të hidrocentraleve nga parqet kombëtare”, ka thënë Egzona Shala-Kadiu, aktiviste.
Për t’i dëshmuar efektet negative mjedisore që këto hidrocentrale kanë pasur, ata kanë thënë se kanë bashkëngjitur hulumtime të Universitetit të Prishtinës e të dhëna të mbledhura që nga 2006-a.
Po ashtu, kanë theksuar se me ngritjen e hidrocentraleve janë shkelur një varg ligjesh.
“Këto hidrocentrale bien ndesh edhe me Ligjin për ujërat, me ligjin e Kosovës. Bien ndesh me prioritet që i parasheh Ligji për ujërat, i cili së pari është ujë të ketë për banorët lokalë e në fund për përfitime komerciale. Deri sot, kjo ka qenë e përmbysur dhe ujërat janë përdorur së pari për përftime komerciale e pastaj për pjesën tjetër”, ka thënë Ardian Nrecaj, aktivist.
Aktivistët kanë shprehur shqetësimin edhe për dhënien e lejeve dhe licencave nga vetë institucionet, e për të cilat kanë thënë se bien ndesh me rregullativën për parqet kombëtare.
Kanë përmendur edhe hidrocentralet në parkun nacional “Bjeshkët e Nemuna” ku kompania që vjen pikërisht nga Austria, ka futur ujin në gypa.
“Veç te ne ndodh të fitohet e drejta ujore në një lumë, pa afat. Domethënë ka ardhur KELKOS-i nga Austria dhe e ka marrë Lumëbardhin e Deçanit pa afat. Është i tyre. E ka varrosur në gypa. Ka krijuar dëme milionëshe në njërën prej bukurive më të mëdha që ka pasur ajo zonë, te Zalli i Rupës”, ka thënë Ali Sefaj, aktivist.
Organizatat për mbrojtjen e natyrës – EcoZ, Pishtarët, GAIA Kosovo dhe RiverWatch, prej së enjtes kanë hapur peticionin online që të ndalen dëmtimet e natyrës, e me të cilin do t’i drejtohen Qeverisë për reagim dhe veprime.