Arbëri

Akti më i lartë juridik shpërfillet në komunat me shumicë serbe, ankesa edhe në gjyqësor e ekzekutiv

Institucionet e drejtësisë kritikohen më së shumti për moszbatim të Kushtetutës. Kritikat i faturohen edhe ekzekutivit. Por më shumë se tek këto, Kushtetuta shpërfillet në veriun e Kosovës dhe pjesët e tjera të banuara me shumicë serbe. Sipas njohësve të kësaj fushe, këtij realiteti i kanë kontribuuar edhe ndërkombëtarët, të cilët më shumë sesa sundimit të ligjit në veri prioritet i kanë dhënë krijimit të ambientit të sigurt

Ngecjet në respektimin e të drejtave qytetare dhe moszbatimi i theksuar në komunat me shumicë serbe kanë sfiduar në vazhdimësi Kushtetutën e Kosovës, aktin më të lartë juridik të Republikës.

Ndonëse disa prej ankesave për moszbatim i faturohen ekzekutivit, më të shpeshtat nga ana e qytetarëve kanë adresë institucionet e drejtësisë, sidomos për stërzgjatjen e proceseve gjyqësore.

Edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, tregon se të drejtat individuale i dominojnë ankesat e tjera.

“Nëse e bëjmë një analizë empirike dhe e analizojmë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shumica e ankesave kanë të bëjnë me pretendimin për shkeljen e disa neneve, siç është e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për arsye të ndryshme, për shembull mospërfundimi i procedurave gjyqësore në afat të arsyeshëm, që është pretendim mjaft i shpeshtë; mosarsyetimi i vendimeve gjyqësore pastaj ka goxha shumë raste me pretendime për cenimin e barazisë para ligjit për shembull në marrëdhënien e punës, përkatësisht diskriminim, sepse diskriminimi dhe barazia para ligjit janë dy anë të së njëjtës medaljeje”, ka thënë Sejdiu. 

Sejdiu, i cili njëherësh ligjëron edhe për Bazat e Sistemit të Drejtësisë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë po ashtu se Kushtetuta mbetet çështje anësore në perspektivën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për veriun e vendit, përfshirë edhe çështjen e dinarit.  

“Duke qenë si qasje që prioritet kryesor nëse jo të vetëm e ka sigurinë e jo sundimin e ligjit, atëherë çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe kur të flasim për sundim të ligjit atëherë nënkupton sundimin e aktit më të lartë ligjor e që është Kushtetuta – bie në plan të dytë”, ka theksuar Sejdiu. 

Ai u shpreh po ashtu se rendi në veri është kontestuar për kohë të gjatë dhe se komuniteti ndërkombëtar pa e kontestuar ligjshmërinë, i konteston veprimet praktike që ndërmarrin institucionet në drejtim të shtrirjes së sovranitetit. 

“Sovraniteti mund të jetë juridik dhe empirik, të paktën doktrina e njeh si të tillë. Në kuptimin juridik, sovraniteti i Kosovës nuk është se është vënë në pikëpyetje nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare asnjëherë, konsideroj unë, as nga shumica e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa për sa i përket ushtrimit praktik të sovranitetit në terren, përkatësisht sovranitetit empirik, ne e dimë që rendi kushtetues i Republikës së Kosovës në veri është sfiduar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë të dhunshme nga struktura ilegale dhe kriminale që dihet se janë të krijuara dhe dirigjuara nga Beogradi, madje një fakt që harrohet në Kosovë dhe jo vetëm është sfidimi që i është bërë rendit dhe ligjit të Kosovës edhe përpara se Kosova ta shpallte pavarësinë. Domethënë edhe rendi juridik i krijuar nga bashkësia ndërkombëtare në veriun e Kosovës është sfiduar në mënyrë të dhunshme nga viti 1999 e këndej”, ka deklaruar Sejdiu. 

Pjesë së Kushtetutës së Kosovës në vitin 2020 u bë edhe Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. 

Por, sipas Adelina Berishës, menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, zbatimi i kësaj konvente që ndryshe njihet si Konventa e Stambollit nuk e ka gjetur përkrahjen e mjaftueshme të institucioneve.  

“Buxhetimi është specifikisht detyrë e Qeverisë, mund të jetë ndonjë obligim në nivelin lokal, mirëpo niveli qendror, Ministria e Financave e ka obligim që çdo aktivitet që del prej konventës të buxhetojë për to. Për shembull ne e kemi avokuar si Rrejt i Grave që sivjet në buxhetin e vitit 2024, të ketë linjë për ndërtimin e qendrës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, kjo për shembull nuk është reflektuar në këtë buxhet, ne kemi kërkuar të kemi numër më të madh të punëtorëve socialë që është në vijë me kërkesat e konventës së Stambollit, për shërbime më të mira për viktimat, e as kjo nuk na është aprovuar. Kemi kërkuar rritje të kapaciteteve të mbrojtësve të viktimave, as kjo nuk është aprovuar”, ka thënë Adelina Berisha.  

Berisha thotë po ashtu se institucionet në të gjitha nivelet duket ta ndryshojnë qasjen e tyre në raport me viktimat e dhunës në familje.  

“Një prej kërkesave të Konventës së Stambollit është qasja me viktimat në qendër. Mund të them që në këtë aspekt të gjitha institucionet dështojnë sepse kanë mungesë të njohurive se çka nënkupton kjo që viktima të jetë në qendër të çdo shërbimi kur ajo u drejtohet institucioneve”, është shprehur Berisha. 

E kritika shpreh edhe ndaj sistemit të drejtësisë për dënime të ulëta për lidhur me dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje. 

“Me dënime të ulëta, me dënime jomeritore, po çalojnë në zbatimin e Konventës së Stambollit”, ka thënë ajo. 

Pos Konventës së Stambollit, direkt e zbatueshme në Kosovë është edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut - ku Kosova synon të bëhet nënshkruese me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. 

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shprehet kritik ndaj gjyqësorit e ekzekutivit, meqë, siç tregon ai, rrallë i përdorin si referencë aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

“Kushtetuta e Kosovës në nenin 53 e ka precizuar saktë këtë detyrim, ku ka theksuar se të gjitha autoritetet publike në Kosovë, kur të vendosin për të drejtat e njeriut, janë të obliguara të zbatojnë vendimet e Gjykatës Evropiane të Strasburgut dhe të gjitha vendimet që merren duhet të jenë në harmoni me këto aktgjykime. Mirëpo në praktikë nuk është zbatuar sa duhet, sidomos nga institucionet gjyqësore, përjashtimisht Gjykata Kushtetuese ka qenë një institucion i cili e ka zbatuar dhe ka bërë referenca në vendimin e gjykatës evropiane, mirëpo gjykatat e rregullta në raste të rralla apo hiç, ndërsa në vendime administrative mund të themi se pothuajse asnjëherë nuk i kanë bërë referencë praktikës së Gjykatës Evropiane të Strasburgut”, ka deklaruar Jashari. 

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti. Ajo vlerësohet e avancuar sa u përket të drejtave të njeriut, meqë mes tjerash parasheh kuota përfaqësimi për komuniteteve joshumicë, si dhe ndalon diskriminim në bazë të orientimit seksual apo çfarëdo statusi tjetër personal.