Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftuar se ka ngritur aktakuzë në rastin e njohur “KEK”.
Në këtë rast i akuzuar është ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, ish-shefit të prokurimit në KEK, Ymer Dragusha dhe avokatit Isuf Zejna.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, në rastin e njohur ‘KEK ‘kundër të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z.”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ky rast thuhet se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme.
Kjo është aktakuza e dytë ndaj Krasniqit.
Në aktakuzën tjetër të ngritur për korrupsion Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.
Në aktakuzën e parë, ku Krasniqi akuzohet për korrupsion, Prokuroria pretendon se me veprimet e tij shteti është dëmtuar me 531.920 euro tatime, si dhe KEK-u me mbi 3.2 milionë euro, shkaku që është gjobitur nga ZRRE-ja për tregti me ndërmarrje të palicencuar në Kosovë.
Shefi i Prokurorimit në KEK, Ymer Dragusha, i ka thënë KOHËS se s’ka qenë i përfshirë në periudhën kur përmendet në aktakuzë.
“S’kam gjë aty. Unë veç një periudhë të shkurt kam qenë, vetëm 6 muaj. S’është ajo periudhë që po e përmendin. Gusht 2022 deri në mars 2023, në ato çështje. Ai po niset nga 2021-ta, s’kam diçka aty. S’kam çka jap koment. E shoh tash aty kur të shkojmë aty, e shoh çka ka. Ata e dinë vetë se çka kanë shkruar, çka kanë e çka s’kanë”, ka thënë Dragusha.
KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe Isuf Zejnën, por s’ka marrë përgjigje.