Në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se i akuzuari për spiunazh, Muharrem Qerimi, ka mbajtur shënim mbi deponimin e të dhënave të nxjerra nga aplikacioni “SKY ECC” – të dhëna këto që kanë ndihmuar prokurori nëpër Evropë që të bien në gjurmë të grupeve të shumta të krimit të organizuar. Qerimi, në bazë të aktakuzës, ka qenë në dijeni se prokuroria i ka pranuar këto të dhëna nga Europoli, si dhe se në shënimet për BIA-n ka shkruar që në Prokurorinë Speciale janë duke u zbërthyer këto të dhëna. E për këto të dhënë, sipas prokurorisë, kanë qenë në dijeni një numër i vogël njerëzish
Veprimet hetimore konfidenciale të Prokurorisë Speciale, në dijeni për të cilat kanë qenë një numër i vogël pak njerëz, i ka ditur i akuzuari për spiunazh, Muharrem Qerimi, është thënë në aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër, Bedri Shabani, e të cilën e ka siguruar KOHA.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-policit Qerimi dhe ish-doganierit, Bedri Shabani, më 19 shkurt të 2025-tës dhe ka pretenduar se që të dy kanë kryer punë për Agjencinë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë, e cila njihet me shkurtesën në serbishte, BIA.
Në aktakuzën e siguruar thuhet se Qerimi ka mbajtur shënim mbi deponimin e të dhënave të nxjerra nga aplikacioni “SKY ECC” – të dhëna këto që kanë ndihmuar prokurori nëpër Evropë që të bien në gjurmë të grupeve të shumta të krimit të organizuar.
Qerimi, në bazë të aktakuzës, ka qenë në dijeni se prokuroria i ka pranuar këto të dhëna nga Europoli, si dhe se në shënimet për BIA-n ka shkruar që në Prokurorinë Speciale janë duke u zbërthyer këto të dhëna.
“Skaj aplikacion i zbërthyer nga euro poli, është sjell dokumentacioni në prokurorinë speciale dhe njësia kundër krimit të organizuar është duke punuar me të madhe për zbërthimin e dokumenteve”, përmendet në aktakuzë një komunikim.
Krahas të qenët informacion i klasifikuar, për këtë të dhënë, sipas prokurorisë, kanë qenë në dijeni një numër i vogël njerëzish. Për ta vërtetuar këtë para gjykatës, Prokuroria në aktakuzë e ka propozuar si dëshmitar policin, Armend Krasniqi, i cili ka punuar më herët në analizimin e materialit të aplikacionit “SKY”.
“...nga shtatori 2015 ka kaluar në sektorin e Hetimit të Krimeve Kibernetike ku ende punon dhe se i njëjti nga viti 2022 ka qenë i ngarkuar në projektin që ka të bëjë me mbledhjen dhe analizimin e materialit të SKYECC, por me arrestimin e të pandehurit Muharrem Qerimi, i njëjti është larguar nga ky projekt, tejet i rëndësishëm dhe se deklaron edhe vetë se për këtë projekt kanë qenë shumë pak veta të njoftuar”, është thënë në aktakuzën e siguruar nga KOHA.
Si një prej provave të paraqitura në aktakuzë është mesazhi, në të cilin pretendohet se zyrtari i BIA-s, Sërgjan Rosiq, i ka thënë të pandehurit Qerimi se “ka folur me atë të vjetrin dhe se ka gjetur njerëz edhe në Londër”.
E i akuzuari tjetër, Bedri Shabani, sipas aktakuzës, i ka shprehur edhe pakënaqësi Rosiqit, pasi që mendonte se BIA nuk po bën gjë me informatat që ia ka dërguar, e të cilat do t’i shërbenin një teorie të rrejshme për rrjet të trafikimit të organeve nga UÇK-ja që shtrihej nga Mollopolci e deri në Shqipëri.
“...duke vazhduar ta pyes zyrtarin e BIA-s Rosiq, se ‘çka ke bërë me atë pjesën e librit që ta kam dërguar dhe këtë në anglisht, a ua keni dërguar ndërkombëtarëve (duke iu referuar pjesës së librit që flet për spitalin ushtarak të Mollopolcit’, si dhe kërkon nga zyrtari i BIA-s që ta shtyn/të ndërmarrë veprime/në lidhje me këto informacione dhe dokumente të dorëzuara BIA-s, duke i thënë ‘ju shtyjeni këtë lëndë me njerëzit tuaj dhe unë po përgatitem edhe me disa të tjerë’, si dhe ‘nëse kjo nuk është për shtet, çka po e bëjmë atëherë, ta ndërpresim krejt këtë’”, thuhet në aktakuzë.
Shabani, sipas aktakuzës, i ka kërkuar edhe kryeprokurores speciale, Kimberly West, që të hetojë më shumë për krimet e luftës në Mollopolc, për të cilin i dërgonte informata BIA-s me qëllim të ndërtimit të narrativit të rrejshëm për një rrjet të trafikimit të organeve.
“Në kuadër të kësaj letre i pandehuri Shabani, i drejtohet znj. West, duke kërkuar nga ajo: ‘Të jetë dëshmitar i saj dhe jo dëshmitar i rremë, e i manipuluar nga ish-kryeprokurori Jack Smith. Kërkojmë drejtësi, dhe shpresojmë se ju dhe prokurorët dhe hetuesit që ju drejtoni do të nxjerrë të gjithë kriminelet para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte të reja për të zbardhur të vërtetën... Bedri Shabani ish-agjent sekret i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i infiltruar në institucionet më të larta të RSF të Jugosllavisë”, thuhet në aktakuzë.
Të akuzuarit për spiunazh, Qerimi e Shabani, të mërkurën e kanë bërë paraqitjen e parë para gjykatës, në kuadër të seancës së shqyrtimit fillestar. Ata nuk janë deklaruar mbi akuzat meqë për këtë nuk ka qenë i gatshëm i akuzuari Shabani. E për këtë arsye, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, e ka shtyrë seancën për datën 17 mars.