Arbëri

Aktakuza për Banjskën: Të akuzuarit tentuan ta shkëpusin veriun e Kosovës e t’ia bashkojnë Serbisë

Banjska

Foto: Driton Paçarada

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale për rastin e Banjskës ekziston dyshimi i bazuar mirë se 45 personat e akuzuar me në krye Milan Radoiçiqin, kanë kryer veprën penale, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” e sanksionuar me nenin 126 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).  

Në aktakuzë thuhet se ata kanë tentuar ta shkëpusin veriun Kosovës e t’ia bashkojnë Serbisë.

“... duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës të akuzuar në këtë rast përveç Milan Radoiçiqit janë edhe Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “RAD D.O.O” (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me pronar dhe përfaqësues të autorizuar Radule Steviq.

Sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se Radoiçiqi ka kryer veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” ” e sanksionuar me nenin 131 i KPRK-së, lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. 

“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë - blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake - sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike - sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit - financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzë.

Radoiçiqi akuzohet edhe për veprën penale “Shpërlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 par.1 nën paragrafi 1.1 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radoiçiq duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radule Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve ‘RAD D.O.O’ dhe ‘Radule Steviq B.I’ dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzë. 
 

Prokuroria: Serbia përgjegjëse kryesore për financimin e Radoiçiqit dhe grupit të tij

7 muaj më parë / 11 sht 2024 18:07
Armatimi i gjetur në Banjske

Një pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë flet edhe për mënyrën e financimit të grupit që kreu sulmin. 

Në aktakuzë përgjegjëse kryesore për financim të grupit me në krye Radoiçiqin është bërë Serbia. 

“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit serb”, thuhet në aktakuzë. 

Sipas aktakuzës Serbia ndër të tjera i ka ofruar Radoiçiqit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve. 

“Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës. Skema e fuqizimit ekonomik përmes grumbullimit të fondeve me qëllim të financimit të terrorizmit në Kosovë për të pandehurin Milan Radoiçiq është bërë përmes hapjes së bizneseve në mënyrë ligjore me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave apo maskimit të origjinës së parave, që në sytë e publikut dhe autoriteteve zyrtare të duket gjithçka e ligjshme. I pandehuri Milan Radoiçiq, ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte në cilësi të pronarit në biznese dhe në mënyrë indirekte”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

“Përveç fuqizimit dhe përkrahjes politike, më qëllim të ushtrimit të ndikimit te pjesa e popullatës civile serbe, të pandehurit Milan Radoiçiq i ishte ofruar edhe përkrahje duke e vendosur në pozita kyçe me qëllim të krijimit të figurës kryesore në veri dhe përmes këtyre pozitave të kontrollohen qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Pozitat të cilat i kishte mbajtur i pandehuri Milan Radoiçiq ishin nënkryetar i partisë ‘Lista Serbe’, kryetar i të ashtuquajturës ‘Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë’ në sistemin paralel të Serbisë dhe kryetar i të ashtuquajturës ‘Klubi Trepça’ në sistemin paralel të Serbisë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje thuhet se thuhet se nga dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, si armatimi, veturat, dronët, uniformat, e një sërë raportesh, dokumentesh e përgjigjesh të marra nga institucione të ndryshme, “janë provuar faktet të cilat përshkruajnë në mënyrë të saktë, fuqizimin, mënyrën e grumbullimit të mjeteve financiare me qëllim të financimit të terrorizmit e deri tek shpëlarja e parave përmes konvertimit të pasurisë së fituar me aktivitet kriminal në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, e të pandehurit Milan Radoiçiq”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milan Radoiçiq në emër të kryerjes së akteve të ndryshme të dhunës, ndikimit financiar në grupin e tij, drejtimit të personave të tjerë në kryerjen e akteve të dhunshme, ka grumbulluar mjete financiare, ku këto mjete financiare i ka përdorur për kryerjen e pagesave të pjesëmarrësve të grupit , blerjen e pajisjeve logjistike duke përfshirë armatim të rëndë, vetura të blinduara, dronë, uniforma ushtarake për grupin terrorist, si dhe çdo pajisje tjetër ushtarake të nevojshme për qëllim të kryerjes së veprave terroriste. 

Në aktakuzë thuhet se pasqyra e tërësishme e operimit të të pandehurit Milan dhe përkrahja që i është ofruar, ka krijuar një fuqi të madhe në kontrollimin e pjesës së veriut përmes aktivitetit kriminal. Këtë ndikim theksohet se e ka përdorur si instrument për të luftuar rendin juridik kushtetues të Kosovës përmes akteve terroriste dhe për nevojat e tij personale.

Sipas një skeme të paraqitur në aktakuzë veprimtaria kriminale e Radoiçiqit është financuar nga dy burime kryesore, “duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës dhe nga shteti i Serbisë”. 

“Forma e parë e financimit duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovë dhe Metohi’”, thuhet në aktakuzë.