Arbëri

Aktakuza: 5 biznesmenë shpëlanë para në vlerë 3.4 milionë euro

Përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve, pesë biznesmenë dyshohet se shpëlanë para në vlerë të 3.4 milionë eurove. Në aktakuzë theksohet se biznesmenët kanë arritur që mjetet e fituara kundërligjshëm t’i transferojnë në llogaritë e tyre brenda e jashtë vendit, për t’i përdorur më pas si të ligjshme.

Përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve, pesë biznesmenë dyshohet se shpëlanë para në vlerë të 3.4 milionë eurove, thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Ekrem Lluka bashkë me djalin e tij, Korab Lluka, si pronarë të “Qendrës Kardiake të Kosovës”, Klodian Allajbeu pronar dhe Igli Larashi drejtor në “American Hospital Kosova”, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, sipas aktakuzës, kanë prezantuar dokumente e fatura me kompani që nuk ishin të regjistruara, me qëllim edhe të përfitimit të milionave, por edhe të legjitimimit të transaksioneve të tyre bankare.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se këto veprime të kundërligjshme u ndërmorën kur këta persona kuptuan se janë duke u hetuar nga Administrata Tatimore dhe nga Prokuroria Speciale.

Malaj si pronare e “Medbrand” dyshohet se me qëllim të shpëlarjes së parave, ka falsifikuar fatura të shitjes së pajisjeve në Spitalin Amerikan më 2014, në vlerë të 4.7 milionë eurove ndonëse kompania e saj në atë kohë nuk kishte ekzistuar as si subjekt i regjistruar.

Ndërkaq, Allajbeu si aksionar i spitalit dhe Larashi si drejtor dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për blerjen e këtyre pajisjeve dhe se dokumentet e falsifikuara ia kanë prezantuar ATK-së.

Në aktakuzë thuhet se Malaj, bashkë me Larashin dhe Korab Llukën nga Qendra Kardiake kanë nënshkruar dokumente me përmbajtje të rreme në mars të 2021-tës, kinse janë nënshkruar në dhjetor të 2020-s, me qëllim që të legjitimojnë mosdeklarimin e pagesës prej 1.5 milionë eurove nga 4.7 milionët, në mënyrë që ta vënë ATK-në në lajthim se kontrata ka qenë e nënshkruar para se ATK-ja t’i niste hetimet.

Aktakuza i ngarkon Malajn, Allajbeun, Larashin, Ekrem dhe Korab Llukën se duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë arritur të realizojnë miliona.

“Duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke përdorur dokumente të njëjta, arrijnë t’i maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe t’i konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe t’i shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Malaj ka përfituar shumën prej 3.1 milionëve dhe se një pjesë të madhe të kësaj shume e ka tërhequr në Shqipëri si dividentë.

KOHA i ka shkruar kompanisë “Medbrand”, por nuk ka kthyer përgjigje. Është kontaktuar edhe numri i telefonit që kjo kompani ka lënë në ARBK, por personi që është përgjigjur është shprehur se prej vjetësh numri i takon atij dhe se nuk e ka asnjë lidhje me kompaninë.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Ekrem Llukën dhe avokatin e tij, por të dy kanë qenë të paqasshëm. Ndërkaq Hasan Shala, avokat i të akuzuarit Korab Lluka, është shprehur se nuk e ka pranuar ende aktakuzën.

“Nuk kemi asnjë dokument. Nuk mund të deklarohemi derisa nuk kemi asgjë zyrtare. Kemi marrë pjesë në hetim, kemi konsideruar se klienti im është i pafajshëm dhe akuza edhe për mua është befasi. Me asnjë provë prokurori nuk ka mundur të na bindë se ka dyshim të bazuar për ndonjë gjë”, ka deklaruar Shala.

Është kontaktuar dhe i janë dërguar mesazhe edhe Klodian Allajbeut, por nuk është përgjigjur.

E Igli Larashi ka thënë se sapo të njoftohet me aktakuzën do të përgjigjet.  

“Kur të njihemi me aktakuzën, ta marrim ditën e hënë do të flasin avokatët tanë”, ka thënë Larashi.

Përgjigje nuk kanë dhënë as në Spitalin Amerikan.

Disa nga të dyshuarit, kanë pronësi edhe mbi media në Kosovë.