Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar sot ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se "komunat po rrezikohen që të mos i zbatojnë projektet kapitale në vitin 2025".
Sipas AKK-së kjo po ndodh pasi që Qeveria nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të Kontratës kolektive dhe kësisoj, përveç rrezikut që komunat të mos kenë mjete për investime kapitale, atyre u rrezikohet që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen.
“Qeveri ndalojeni kolapsimin financiar të komunave dhe gjakderdhjen financiare. Komunat rrezikohen që të mos zbatojnë projekte kapitale në vitin 2025 dhe mbylljen e xhirollogarive të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të kontratës kolektive dhe me këtë rast komunat rrezikojnë që të mos kenë mjete për investime kapitale, që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen”, thuhet në komunikatën e Asociacionit, raporton “KosovaPress”.
Për më tepër thuhet se “kjo vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore të cilat për disa vite nuk janë duke i marrë parasysh kërkesat e komunave”.
“Që në fillim të këtij viti vetëm disa komunave iu kanë shkuar faturat mbi 35 milionë euro, ku mbi 25 milionë euro janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa mbi 10 milionë euro janë tarifat për përmbaruesit e që me një vendim të Qeverisë apo Kuvendit të Republikës së Kosovës kjo gjakderdhja financiare që është mbi 10 milion euro të deritanishme mund të ndalohet. Këto janë mjete të taksapaguesve të Republikës së Kosovës dhe po që se Qeveria do të menaxhonte procesin si duhur, atëherë tarifat për përmbaruesit nuk do të ndodhnin”, thuhet në komunikatë.
Në vijim sipas AKK-së janë vetëm disa komuna që kanë pranuar vetëm në vitin 2025 faturat për zbatim të kontratës kolektive: Ferizaj 9.5 milionë euro, Prizreni 5.5 milionë euro, Lipjani 3.8 milionë euro, Malisheve 2.6 milionë euro, Rahovec 2.1 milionë euro, Viti 2.1 milionë euro, Mitrovicë 1.7 milionë euro, Skenderaj 1.6 milionë euro, Kaçanik 1.5 milionë euro, Gjakova me 1.4 milionë euro dhe Suhareka 1.3 milionë euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një postim në Facebook ka shprehur shqetësim për tarifat e përmbaruesve.
“Një tjetër shqetësim mbetet edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat, ku në disa raste ato tejkalojnë vlerën e vetë borxhit që përmbarohet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati ka shtuar se është e çuditshme pse deri më tash nuk është raportuar për ndonjë hetim nga Prokuroria ndaj personave që “nënshkruan paligjshëm” këtë kontratë dhe shkaktuan dëmin e madh financiar.
