Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se Qeveria e ka shtyrë për vitin 2026 afatin e zbatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale – që parashihej të fillonte zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm.
AKK-ja i ka marrë meritat për këtë pasi ka thënë se Ministria e Financave e shtyu afatin “pas presionit dhe insistimit të Asociacionit të Komunave”. Asociacioni më tej ka shprehur se e mirëpret këtë vendim.
“Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës z.Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026. Siç dihet Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale”, thuhet në reagimin në Facebook.
Sipas AKK-së, kërkesa për shtyrje të afatit ka qenë e arsyeshme.
“Vlen po ashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33%”.