Arbëri

AKK-ja as nuk e konfirmon e as nuk e mohon kallëzimin penal ndaj Berishajt

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se nuk mund as ta konfirmojë dhe as ta mohojë pretendimin se AKK-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

"Nuk mundem as ta konfirmoj dhe as ta mohoj pretendimin tuaj", ka thënë Buleshkaj për KOHËN, derisa adresim për këtë çështje e ka parë zyrën për media të Agjencisë.

As AKK-ja në formë zyrtare nuk ka sqaruar nëse kallëzimi penal ndaj Berishajt është ngritur.

Nga zyra për media e kësaj agjencie thonë se “AKK-ja është e obliguar ta respektojë dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me Nenin 28 ( Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi”.

Sipas agjencisë, në kuptim të këtij ligji, ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia.

“Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvillojë hetime dhe ndjekje penale”, thuhet më tej në përgjigjen me shkrim të Agjencisë.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK) ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Edhe nga dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë thirrje për shkarkimin e Berishajt.