Arbëri

Ajri i ndotur nxit kancerin edhe te fëmijët, alarmojnë ekspertët

Reparti i pulmologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK është përballur me mbingarkesë. Mjekët thonë se shumë probleme respiratore me të cilat përballen fëmijët, e kanë burimin tek ajri i ndotur. Sipas ekspertëve, ajri i ndotur nxit edhe sëmundje malinje dhe lë pasoja në sistemin nervor

Gjatë muajve të fundit, repartet e Pulmologjisë janë mbingarkuar me fëmijë që kanë kërkuar ndihmë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

Elida Krasniqi, e cila është pediatre në këtë klinikë, thotë se infeksionet e traktit të frymëmarrjes janë ndër sëmundjet më të shpeshta te fëmijët dhe se një nga shkaktarët është ndotja e ajrit.

“Ajri i ndotur ka patjetër ndikim, sidomos te infeksionet e traktit respirator. E rrit numrin e infeksioneve. Po ashtu, i përkeqëson disa nga patologjitë kronike që i prekin ose atakojnë rrugët e frymëmarrjes siç janë astma, bronkiti obstruktiv, pneumonitë. Për 24 orë, diku 150 pacientë kërkojnë ndihmë në emergjencën e pediatrisë ku disa prej tyre pranohen, hospitalizohen për të marrë shërbime në spital e të tjerët trajtohen në mënyrë ambulatore”, ka thënë pediatrja Krasniqi.

Çdo vit, në Klinikën e Pediatrisë diagnostikohen 50 deri në 60 raste të reja me sëmundje të kancerit.

Pediatrja Krasniqi thekson se ndotja e ajrit nxit sëmundjet malinje te fëmijët.

“Mund të them se janë multifaktorialë: qoftë ndotja e ambientit, faktorët kimikë, radioterapia deri diku, faktorët gjenetikë, viruset e ndryshëm. Këta janë disa nga shkaktarët që iniciojnë një sëmundje malinje, kancerogjene. Vendin e parë e zënë diku 30-40% leukemitë, pastaj vendin e dytë nga sëmundjet malinje janë tumoret e trupit dhe limfomat, dhe në vendin e tretë janë tumoret solide”, ka thënë ajo.

Sipas një raporti të UNICEF-it që është publikuar në tetor të vitit 2024, rreth 99 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur, mbi nivelin e sigurt të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Raporti tregon se rritja e përqendrimit të grimcave ndotëse PM2.5 me 10 mikrogramë për metër kub mund të shkaktojë një rritje prej 10 për qind të vdekshmërisë te fëmijët nën moshën pesë vjeç.

Egzona Shala është eksperte e mjedisit dhe vë theksin te ngrohja gjatë dimrit nëpër shtëpi. Ajo thotë se tymi i qymyrit që mund të përdorët për ngrohje, është paralizator i sistemit nervor.

“Kur jemi të ekspozuar në instanca të tilla përmes oksigjenit që përmban ajri ynë, ka partikula të vogla, pluhur shumë që ato deponohen në organe të frymëmarrjes, deponohen në zemër dhe drejtpërdrejt shkaktojnë ngecje në sistemin nervor. Jashtë organeve të frymëmarrjes, parimisht cilësia e ajrit ndikon në zhvillimin e fëmijëve, në zhvillimin trupor dhe mental të tyre, por po ashtu edhe në zhvillimin adekuat në procesin e nxënies”, ka thënë Shala.

Nga muaji nëntor e deri në shkurt, gjendja me cilësinë e ajrit bëhet kritike në Kosovë, e veçmas në kryeqytet.