Arbëri

Ajri i ndotur në Kosovë, Veselaj: S’mund të presim ndryshim kur s’ka ndryshim të politikave

Indeksi i cilësisë së ajrit në pikën matëse të vendosur në sheshet e Prishtinës për disa ditë ka regjistruar shkallë të lartë të ndotjes së ajrit.

Zeqir Veselaj, njohës i mjedisit, ka thënë se ndër vite nuk ka pasur ndryshim në gjendjen e cilësisë së ajrit në Kosovë pasi nuk ka pasur politika që kanë kontribuar në trajtim. Ai ka thënë se problemet e ndotjes në Kosovë janë të shtresuara me dekada dhe se “pa një intervenim sistematik nuk do të mund të bëhet progres”.

Veselaj ka theksuar se duhet rritur edhe buxheti për mjedisin, diçka që sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë qeverive.

“Tani Prishtina ishte diku në vendin e 16-të, aty ku nuk do donim ta shihnim. Sarajeva ishte në vitin e parë. Nuk janë lajme të mira, por janë të pritshme që jemi mësuar tash e sa vjet. Nuk mund të presim ndryshim nëse politika për trajtimin e mjedisit në qeveri nuk ka ndryshuar asnjëherë. Nuk është se është bërë progres substancial që të ndërmerren masa që para se të vijë kjo sezonë, sepse e dimë që është kjo periudhë e fillimvitit që Prishtina përballet me problemet e rritjes së koncentrimeve të ndotësve në ajër”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Veselaj ka folur për faktorët që ndikojnë më së shumti në ndotjen e ajrit në Kosovë.  

“Faktorët që ndikojnë në ndotjen në Kosovë, prijnë sektori energjetik me kapacitete e KEK-ut që djegin ende qymyrin të një cilësie mjaft të dobët në aspektin kalorifik të gjenerimit të nxehtësisë, por shumë ‘efiçient’ në krijimin e shkarkimeve në ajër dhe gjenerimin e shumë mbeturinave. Sektori i dytë, sidomos kësaj ndotje urbane që po ballafaqohemi këto netë në Prishtinë, është transporti”, është shprehur ai.

Monitoruesi i cilësisë së ajrit mat grimcat në ajër çdo orë, duke përfshirë pluhurin, baltën, blozën, tymin dhe pikat e lëngshme.