Arbëri

“Ai po mbahet në ferr”, DailyMail raporton për Sadik Durakun që u ndalua në Serbi për “krime lufte”

Sadik Duraku

E përditshmja britanike DailyMail ka raportuar për Sadik Durakun që po mbahet nga autoritetet serbe për krime lufte. Mediumi ka shkruar të dielën se kosovari nga fshati Damjan në Gjakovë është i sëmurë rëndë dhe po mbahet në një burg “ferr”. Ai është arrestuar javë më parë nga autoritetet serbe në kufirin Kroaci-Serbi, së bashku me dhjetëra shqiptarë.

53-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Lartë për Krime Lufte në Beograd dhe po akuzohet për pjesëmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për krime të kryera gjatë luftës. Të gjitha akuzat i ka mohuar familja e tij.

Vajza e Durakut, Suzana ka deklaruar se në kohë të luftës babanë e kishte në Britani duke aplikuar për të marrë azil në 1998-n, e nuk ishte larguar nga vendi deri në 2004-n.

“Familja jonë kërkon prova të prekshme për t’i hedhur poshtë akuzat e pabaza”

“Një ditë pasi Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit të Këshillit të Evropës, Serbia ndaloi qindra shqiptarë në kalimin e kufirit serb. Një nga ato viktima është edhe babai im, Sadik Duraku, shtetas britanik që jetonte në Brighton. Derisa të tjerët janë liruar, babai im mbeti në paraburgim. Ai po mbahet me pretendime të rreme se ka qenë anëtar i UÇK-së në 1999-n, pretendimet e tyre thonë se ka kryer krime lufte gjatë 1999-s. Procesi i azilit nënkuptoi se ne nuk mund të largoheshim nga Britania e Madhe deri në 2004-n. Në këtë moment kritik, familja jonë kërkon prova të prekshme për t'i hedhur poshtë akuzat e pabaza dhe kemi nevojë për mbështetje nga një vëzhgues në Serbi për të garantuar procedura të drejta dhe sigurinë e tij. Prandaj, dokumentimi i kërkesave tonë për azil dhe qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar nga 1998-a deri në 1999-n është jetik. Zyra e Brendshme Britanike duhet ta ketë këtë informacion dhe së bashku me Ambasadën Britanike duhet të jetë në dispozicion të organizojë një vëzhgues. Ajo që na duhet gjithashtu është presioni i Britanisë për të liruar babanë tim”, thuhet në reagimin e vajzës së Sadikut, Suzanës.

Ajo ka theksuar se babai i saj është me probleme shëndetësore në zemër dhe në 2021-n kishte një sulm.

Për ndalimin e Durakut pati reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diaporës (MPJD) në Kosovë.

"Pas arrestimit, Durakut i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, ka thënë MPJD-ja.