Arbëri

Ahmeti: Mund të thirret mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se Komiteti i Ministrave mund të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të premten (17 maj) ku do të mundësohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se ndonëse Kosova s’është futur në rend të ditës nga kjo organizatë, kjo mund të bëhet dhe për këtë “është duke u punuar në vazhdimësi”.

“Komiteti i Ministrave ka mundësi të thërrasë menjëherë në mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, siç ka ndodhur vitin e kaluar kur Komiteti i Ministrave thirri mbledhje për kalimin e fazës së parë. Ka pasur aktivitet me partnerë që të gjejmë një zgjidhje për të dalë nga ky qorrsokak për shkak të këtij kushti jozyrtar. Kosova tashmë i ka plotësuar standardet që të bëhet anëtare”, ka deklaruar ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Ahmeti ka theksuar se është duke u punuar që proceduralisht të bëhet e mundur që çështja e Kosovës të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave. Sipas tij, nuk duhet të publikohen për publikun të gjitha detajet mbi këtë çështje.

“Nuk mendoj se është në interesin e vendit t’i shpalos të gjitha komunikimit se kush mund të bëjë këtë, jemi në periudhë të punës, po punojmë e besoj se më mirë të mbetet pa detaje sesa t’i themi të gjitha haptas. Besojmë se ky propozim i yni është brenda procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës e është vendosur si kusht në momentet e fundit”, ka shtuar ai.

Zv.ministri i Punëve të Jashtme ka shtuar se mosfutja e Kosovës në agjendë për anëtarësim në KiE “do të ishte e padrejtë që qytetarët të mbesin pa të drejtat që ua mundëson Këshilli”.

“Këshilli i numëron 12 instrumente ligjore e mekanizmi kryesor aty është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut...Kushtëzimi ishte të dërgohej drafti i Miroslav Lajçakut në Gjykatën Kushtetuese. Ne propozuam diçka tjetër. E njëjta çka ka propozuar kryeministri Kurti më 18 mars në Ohër, ku propozoi që Kosova është e gatshme të draftojë statusin e Asociacionit,  duke marrë për bazë Kushtetutën, qëndrimin e BE-së dhe qëndrimin e SHBA-së. Kjo po kuptohet si zgjidhje e mirë për të gjitha palët e ne po punojmë”, ka shtuar Ahmeti.

Kushtin e Bashkimit Evropian për çështjen e Asociacionit ndaj Kosovës, Ahmeti e cilësoi “parakusht të padrejtë dhe të paplotësueshëm”, duke thënë se koordinimi do të duhej të ishte nga poshtë-lartë.

Ahmeti ka potencuar se nëse autoritetet e Kosovës injorohet nga Këshilli i Evropës “do të rezultonte me inkurajim të Serbisë”.

“Po të kushtëzohej procesi i anëtarësimit do t’i jepej veto Vuçiqit në këtë rast. Jemi të gatshëm që brenda Kushtetutës e sistemit legjislativ, në konsultim me komunitetin serb, të bëjmë një draft siç parashihet e drejta e asociimit të secilës komunë. Çfarëdo diskutimi mbi draftin është i hershem tash, kemi bërë zotim publik te Asambleja pasi Asambleja ishte ajo që i përcaktoi zotimet e i kemi njoftuar presidencën dhe vendet anëtare e presim reflektim. Reflektimi më i mirë do të ishte ajo e nesërmja që të shohim nëse do të ecim së bashku. Komiteti i Ministrave s’ka kompetencë të vendosë kushte e parakushte, zotimet që janë vendosur për pas anëtarësimit duhet t’i njoftojmë ata që i kanë vendosur, e që është Byroja e Këshillit”, ka thënë ai.