Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “Etea”, ka thënë se në doracakun për edukimin seksual ka “gjëra të mira” prej të cilave mund të nxirren përfitime. Sipas tij, me debatin publik rreth kësaj çështjeje është krijuar panik.
Ahmeti ka theksuar se debati publik, i cili nisi në seancën plenare të së hënës në Kuvend, ka nisur për shkak të fushatës.
“Është kohë fushate dhe arsyeja pse po zhvillohet ky debat është për shkaqe të poenave politikë dhe fushatës. Ky doracak është promovuar publikisht më 2021”, ka thënë ai.
Bytyqi: Ligji i njeh veç dy gjini, të tjerat në dokument janë të kontrabanduara
Asdren Bytyqi nga Lista për Familje, ka thënë se ligji i njeh vetëm dy gjini, të tjerat në dokument janë kontrabandim i një agjende që është në kundërshtim me ligjin.
I ftuar në “Konfront” për temën mbi kurrikulën për edukimin seksual, Bytyqi ka thënë se në këtë kurrikulë nuk stimulohet martesa, e as vlerat se si të edukohen fëmijët.
“Mendoj se ky model nuk është i duhuri, sipas meje, shoqëria duhet të ketë një sistem që është vleror, moral, që i edukon fëmijët. Pra, ajo që nuk i mëson fëmijët me këto lloj përvojash, sepse nuk ka nevojë që fëmija të mësohet me përvojat e mësuesit, por të mësojë për rëndësinë e martesës, për t’u ruajtur nga marrëdhëniet e hershme, për pasojat. Këtu askund nuk stimulohet martesa. Kjo është edhe në kundërshtim me ligjin, sepse në bazë të Ligjit mbi Familjen, familja është bashkësi mes një burri dhe një gruaje, këtu mësohet se familja është bashkësi në mes një burri me burrë, grua me grua. Këtu mësohen disa gjini, ligji i njeh veç dy sekse – mashkull dhe femër. Kjo do të thotë se është kontrabandim i një agjende që është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë ai.
Hyseni: Kjo kurrikulë s'ka të bëjë me edukimin seksual
Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka deklaruar se kurrikula për edukim seksual nuk ka të bëjë asgjë me atë çështje.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Hyseni ka thënë se misioni i konceptit edukim seksual prej asaj se çfarë është lexuar së fundmi, ka qëllim krejtësisht tjetër.
“Kushtetuta jonë përfshin koncept liberal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, por nuk përcakton askund që ky koncept liberal të jetë ekstrem. Sikurse që nuk duhet koncepti konservator të jetë ekstrem, nuk do të duhej të jetë as koncepti liberal. Sa herë dalim jashtë normalitetit, ajo shkakton konfuzitet në shoqëri dhe paqartësi të mëdha. Më e mira është të gjendet një konsensus, pasi që debati është duke u bërë edhe në mungesë të madhe të informatave. Këto terminologji që i kemi lexuar në ndërkohë nuk kanë lidhje me sistemin liberal të të drejtave të njeriut dhe edukimin seksual në shkollë, këto janë krejt diçka tjetër, ndërsa misioni i konceptit edukim seksual ka qëllim krejtësisht tjetër”, ka thënë ai.
Bytyqi: Kurrikula për edukimin seksual, skandaloze - zhvesh fëmijët nga turpi
Ministria e Arsimit ka sqaruar të mërkurën se nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual dhe as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukim seksual, por se Kosova ka përfshirë edukimin seksual në kurrikulën e saj arsimore përmes kompetencës “Individ i shëndoshë”.
Asdren Bytyqi nga “Lista për Familjen” e ka quajtur skandaloze një kurrikulë të tillë.
“Janë skandaloze dhe joedukative dhe në kundërshtim me sistemin tradicional arsimor. Mbahen mbi vlera që kanë qenë karakteristika në shoqërinë tonë mbi edukimin e fëmijëve sepse sot kanë dalë disa materiale që tregojnë se këto janë të papërshtatshme për nivelin e zhvillimit të moshës së fëmijëve. Fëmijët mësohen me një lloj edukimi pornografik sepse janë totalisht të papërshtatshme për moshën e tyre”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sipas tij, ajo në esencë “ka për qëllim që t’i zhvesh fëmijët nga turpi moral dhe social dhe ta zëvendësojë rolin e prindit në edukimin e sistemit të vlerave duke ia dhënë shkollës”.