Arbëri

Ahmetaj: Tri kushtet e Kurtit në Bruksel ishin populizëm

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se tri kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti javën e kaluar në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ishin populizëm.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Ahmetaj ka thënë se Kurti nga Brukseli ka bërë fushatë zgjedhore dhe se nuk i është drejtuar opinionit publik, por votuesve të tij. 

“Është më se e dukshme që jemi në fushatë zgjedhore dhe si z.Kurti, si të tjerët që e shkojnë në Bruksel i drejtohen më tepër votuesit të vet, sesa opinionit publik. Tri kushtet që u përmendën, ne e dimë të gjithë që nga BE-ja është bërë e qartë që u nënshkruan apo jo, marrëveshjet janë në fuqi. Ishte populizëm i thjeshtë. E dyta ishte letra e Bërnabiqit. Ende pa reaguar ne, SHBA-ja ka qenë e zëshme dhe ka kërkuar që ajo letër të tërhiqet nga Brukseli dhe ajo letër është shpallur si inekzistente. Çështja e kthimit të Radoiçiqit, unë mendoj që ka qenë vetë Kurti apo njerëzit e tij që kanë negociuar për largimin e Radoiçiqit në paqe dhe me lehtësi të madhe. Me një fjalë, të gjitha këto argumente edhe po të ishin kërkesa të z.Kurti, prandaj është dialogu. Prandaj është marrë gjithë ajo rrugë për të shkuar deri atje”, është shprehuyr ajo. 

Ahmetaj tutje ka vlerësuar se Kosova është më tepër sesa keq në diplomaci. 

“Po e nisi prej sanksioneve, po e nisi prej mungesës së anëtarësimeve, nga mungesa e njohjeve, nga bllokada politike dhe financiare që Kosova po e jeton ditë e për ditë. Nuk kemi avancuar në asnjë segment dhe edhe këtë dialog që ne e patëm, nuk ditëm ta konkretizojmë dhe ta materializojmë në dobi të qytetarëve të vendit”, ka thënë ajo.