Arbëri

AGK: Qeveria ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se i ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e muajve të fundit brenda Radio Televizionit të Kosovës (RTK), e duke folur për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se “Qeveria nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë deputetë, edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak”.

Në një reagim në Facebook, AGK-ja tha se në vend të presionit publik, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përkujdesen për të siguruar funksionimin e papenguar financiar të RTK-së “dhe të gjejnë zgjidhje për pronën e saj”.

Për rastin e Ahmetxhekajt, AGK-ja tha se Bordi i RTK-së duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohen presionit politik

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies. Ahmetxhekaj, një gazetar shumëvjeçar në Transmetuesin Publik ka treguar për ‘presion politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik’. Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj. Bordi aktual, që ka miratuar dorëheqjen e Ahmetxhekajt, më herët kishte emëruar në postin e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvallën, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve ka bërë thirrje për adresim të duhur të ankesave.

“AGK-ja, bën thirrje për adresimin e duhur të ankesave për mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit në Radio Kosova 1. Në vend të presionit politik nëpërmjet Bordit dhe përgjysmimit të buxhetit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përkujdesen që të sigurojnë funksionimin e papenguar financiar të Transmetuesit Publik, dhe të gjejnë zgjidhje për pronën e saj. AGK-ja, e çmon rolin krucial që Transmetuesi Publik luan në funksionimin demokratik të vendit, si shtyllë e rëndësishme për lirinë e medies në Kosovë. Gazetarët, kameramanët dhe punëtorët e tjerë të RTK-së duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në interes të publikut, pa asnjë lloj presioni politik apo financiar. Kosova këtë vit ka shënuar rënien më të madhe të viteve të fundit, kur është renditur për 19 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medies nga Reporterët Pa Kufij”, thuhet tutje në njoftimin e bërë.