Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin, për siç thuhet, “paralajmërimin për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje”.
Në reagimin e AGK-së thuhet se ky është zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet.
AGK-ja e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje “që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë”.
“Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Në reagim AGK-ja gjithashtu thekson se e dënon, siç thuhet, targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave.
Në këtë rast përmendet një postim për çështjen e paralajmërimit për bojkot i zëdhënësit të Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka. Por në një reagim të mëvonshëm, Manxhuka ka mohuar se reagimi ka të bëjë me bojkotin ndaj disa mediave.
“Reagimi im nuk ka qenë për atë që AGK po e di e të cilin po e mbron, por për institucionin paralel të mbyllur dje”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.