Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexhaj, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), i cili sot pritet të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Të enjten në një konference të përbashkët për media, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji.
Rexhaj ka kërkuar që ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet, ndërsa ka kritikuar Qeverinë e Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij ato nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Qëllimi i kësaj konference është të shprehim pakënaqësitë tona për ligjin e KPM-së sepse siç e dini sot në rend dite është miratimi në lexim të dytë i projektligjit për KPM, për të cilin tashmë në mënyrë publike si pjesë e shoqërisë civile e kemi shprehur pakënaqësitë tona dhe vërejtjet më të cilat ky ligj është miratuar. Si AGK kemi thënë disa herë se shoqëria civile nuk ka qenë e përfshirë në fazat kryesore të hartimit të këtij ligjit. Qeveria Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar të flasë me të gjithë akterët që janë pjesë e rëndësishme e industrisë së mediave”, ka theksuar Rexhaj, raporton EO.
Ndërsa juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.
“E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, ka deklaruar Kusari, teksa mediat online i cilësoi si storie suksesi.
“Nëse aprovohet ky projektligj, Këshilli i Mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, është shprehur ajo.