Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta përmirësojë projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave pas qortimit “të ashpër” nga ana e Këshillit të Evropës.
Në njoftimin e AGK-së thuhet se KiE-ja ka përgatitur përgatitur një opinion ligjor për projektligjin për KPM-në dhe ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane.
“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Tutje ky asociacion ka shprehur keqardhjen për këtë qortim, që sipas tij, ka ndodhur si rezultat i tendencës së Qeverisë dhe shumicës parlamentare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative.
Tutje thuhet se sipas opinionit ligjor, propozimi që zgjedhja e kryetarit të KPM-së, të bëhet nga Kuvendi mund të rrisë ndikimin politik në KPM dhe një gjë e tillë nuk është në pajtim me standardet evropiane dhe ato rajonale.