Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e deputetit të pushtetit, Dimal Basha, ndaj gazetares së Radio Televizionit të Kosovës, Blerta Foniqi-Kabashi, të premten.
“Në ditën kur raporti i Reporterëve Pa Kufij, e ka nxjerrë Kosovën në pozicionin më të keq në një dekadë sa i përket lirisë së medies, partia politike në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka dëshmuar në praktikë gjetjet shqetësuese të këtij raporti. Deputeti Dimal Basha e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK me televizionin shtetëror serb, RTS kur është pyetur nga gazetarja Blerta Foniqi Kabashi për kushtin e Asociacionit për anëtarësim e Kosovës, në Këshillin e Evropës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kane veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”, ka thënë Basha, sipas reagimit të AGK-së.
Sipas Asociacionit të gazetarëve, Basha në këtë intervistë e ka sulmuar edhe AGK-në për punën që e bën në mbrojtje të gazetarëve dhe medieve.
Reagimi i Bashës vjen në ditën kur Kosova u konfirmua për 19 pozita më keq në Indeksin e Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”.