Arbëri

AGK-ja pret që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë Ligjin për KPM-në

Asociacioni i gazetareve

Foto: Alban Bujari

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media. Përfaqësues të kësaj organizate shprehën pritjen se ligji do të rrëzohet në tërësi

Argumentet kundër Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka deponuar të martën edhe në Gjykatën Kushtetuese. 
Opozita e ka atakuar në këtë gjykatë ligjin, për të cilin paraprakisht përfaqësues të mediave kanë shprehur kritika.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, shprehu pritjen se ligji do të rrëzohet.

“Ne besojmë që edhe komentet tona, por edhe të palëve të tjera që kanë dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese, do ta bindin shpresojmë Gjykatën Kushtetuese që ligji është antikushtetues dhe do të shfuqizohet në tërësi. Pasi që vetë inicimi i tij, mënyra se si është hartuar dhe mënyra se si dhe çka përmban, janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe në kundërshtim me lirinë universale të medias”, ka thënë Rexha. “Andaj është shpresa jonë që do të ketë reflektim të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast dhe që ligji nuk do të hyj në fuqi”.

Edhe juristja Flutura Kusari, tha se ndryshimet e bëra në ligj, e vënë në rrezik edhe pavarësinë e KPM-së. 

“Bie ndesh me parimin e barazisë gjinore, me lirinë e medias dhe me pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave. Ne kemi argumentuar që disa prej neneve duhet të shfuqizohen, mirëpo po ashtu nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë. Prandaj shpresojmë që ligji do të shfuqizohet në tërësi”, ka thënë Kusari. “Përtej ndikimit që ky ligj ka në rregullimin e mediave, ky rast gjyqësor për ne është një ngjarje historike, për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese merret me një rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi që do të merret tani do t’i paraprijë me dekada të tëra praktikës që gjykata do të ndërtojë sa i përket lirisë së medias”.

Ligji i ri për KPM-në është dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike. Kritika ndaj tij kanë adresuar edhe organizata të shoqërisë civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.
Vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me ndikimin politik në KPM, nëpërmjet rritjes së numrit të anëtarëve dhe heqjes së mandateve të shkallëzuara në vite.
 


 

AGK-ja çon në Kushtetuese komentet lidhur me Ligjin për KPM-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet e veta në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

AGK-ja ka vlerësuar se ky ligj duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. 

Në një komunikatë për media, AGK-ja ka thënë se në komente ka argumentuar që “procedura e ndjekur gjatë ligjbërjes dhe nenet që rregullojnë përbërjen dhe funksionimin e Komisionit, definicionin për mediat online dhe këshillin e ankesave janë në kundërshtim me Kushtetutuën e Kosovës dhe cenojnë, ndër të tjera, pavarësinë e KPM-së, të drejtën e lirisë së medias dhe parimin e barazisë gjinore”.

AGK-ja e ka cilësuar historik rastin gjyqësor për Ligjin për KPM-në.

“Ky rast gjyqësor është historik për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese trajton rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi do të krijojë precedentë që do të udhëheqë Gjykatën për dekada me radhë. Ne shpresojmë që argumentet tona do të bindin Gjykatën që të shpallë ligjin kundërkushtetues”, thuhet në njoftim.

Ligji për KPM-në është dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare. Kritika ndaj tij ka pasur nga shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Disa aspekte të Projektligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane. 

Çështjet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: Ndryshimi i Projektligjit për KPM-në pa koncept-dokument, mënyra e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërje, emërimi, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së, largimi i kufizimit ligjor që në të kaluarën ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, dhe mungesa e transparencës gjatë nismës legjislative.

Ambasadorë të akredituar në Kosovë kanë thënë se Qeveria ka injoruar rekomandimet e faktorit ndërkombëtar dhe kësisoj ka humbur mundësinë që të përafrohet me standardet evropiane.