Agjenci e përbashkët Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut për tërheqjen e investimeve të huaja do të ngrihet në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski , i cili bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë zhvilluar të premten një bisedë online.
“Bashkëpunimi ynë përmes ‘Ballkanit të Hapur’ është konkret për një rajon të fortë ekonomikisht, gati për anëtarësim në BE. Nëpërmjet grupeve të përbashkëta të punës, ne së bashku do të kapërcejmë vështirësitë e furnizimit me ushqim dhe energji dhe zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë. Sot në mëngjes me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, biseduam edhe për krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në ‘Ballkanin e Hapur’”, ka shkruar Kovaçevski.
Ky takim pason samitin e 8 qershorit të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sa u përket marrëveshjeve, Kovaçevski, Rama dhe Vuçiqi ranë dakord që Shkupi, Tirana dhe Beogradi të njohin reciprokisht diplomat dhe titujt shkencorë të lëshuar në institucionet e larta arsimore dhe institucionet e tjera të autorizuara në të tria vendet, gjë që, sipas tyre, do të përshpejtojë procedurën për krijimin e një tregu të vetëm të përbashkët të punës. Me memorandumin për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit do të promovojmë së bashku rajonin si një destinacion tërheqës turistik. Një nga qëllimet e memorandumit për bashkëpunim në kulturë është krijimi i një kalendari të përbashkët të ngjarjeve kulturore që do të sjellë mobilitet të publikut dhe do të nxisë turizmin kulturor. Ndërkaq memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore ndërmjet vendeve të rajonit krijon një mundësi të re për lëvizjen më të lehtë ndërkufitare të njerëzve, mallrave apo shërbimeve. Qeveria e Shqipërisë në mbledhjen e saj në fillim të marsit ka marrë dy vendime në kuadër të “Open Balkan”, ku ka miratuar marrëveshjet ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverive të Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë Veriut, për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS).
Në Samitin e Ohrit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se vendi tij është i vendosur të shohë drejt perspektivës së përbashkët, duke kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Në takimin e Ohrit morën pjesë si vëzhgues edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Mbështetje nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor mori edhe nga SHBA-ja. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i pranishëm përmes një video-mesazhi në samit, pati kërkuar që edhe Kosova të bëhej pjesë e kësaj nisme.