Arbëri

Aeroporti i Kukësit do të shërbejë edhe për Kosovën e Maqedoninë e Veriut

Tirana do të jetë qendra e kompanisë së fluturimeve “Wizz Air”, e cila do të realizojë fluturime “low cost” në të gjitha vendet e Evropës. Ndërkohë, që Aeroporti i Kukësit “ZAYED- Flatrat e Veriut”, ku “Wizz Air” pret të fillojë fluturimet pas pak ditësh, do të shërbejë për fluturime “low cost” edhe për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Wizz Air e sheh tregun jo vetëm të kufizuar si treg shqiptar, por si një qasje rajonale, duke përfshirë edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut për t’u siguruar që ne të jemi tërheqës dhe të mbulojmë sa më shumë treg të jetë e mundur. Aeroporti i Kukësit është një investim i ri në Shqipëri, por është edhe një investim i “Wizz Air”. Jam i sigurt që Kukësi do të zgjerohet dhe do të investohet në të ardhmen. Në muajin maj nga Kukësi ‘Wizz Air’ do të lidhet me Vjenën, me Mynihun me Karlsruhe/Baden-Baden dhe me Basel-Mulhouse, vende këto ku më së shumti udhëtojnë qytetarët nga Kosova. Kjo, pasi “Wizz Air” në aeroportin e Kukësit sjell bileta me kosto të ulët udhëtimi”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Wizz Air Group, József Váradi.

Kompania “Wizz Air” ka rreth 20 muaj që ka hyrë në tregun shqiptar dhe aktualisht ka 6 avionë të bazuar në Tiranë. Kompania ajrore “Wizz Air” ka 21 destinacione të lidhura me Tiranën.

“Përpara një viti nuk kishte asnjë lloj fluturimi nga Tirana. Menaxhimi i aeroportit në atë kohë e bënte të pamundur për të futur modelin tonë të biznesit. Me ndryshimin e klasës drejtuese të aeroportit, tashmë kemi 21 destinacione të lidhura me Tiranën. Ndryshimi erdhi me operatorin e ri të aeroportit, me operatorët e rinj shqiptarë u bë më e lehtë dhe u panë nevojat tona. Nëse do të donim që të kishim çmime të ulëta për klientët, duhet të kishim akses edhe tek infrastruktura me çmim të ulët në aeroport. Kjo tashmë është arritur ku është ulur tarifa nga 10 euro në 1 euro”, tha Varadi.

Kompania “Wizz Air” do të shtojë linjat ajrore në Shqipëri në përputhje me preferencat e klientëve. Drejtori ekzekutiv i Wizz Air, József Váradi tha se destinacionet e reja përfshijnë Abu Dabin, Danimarkën, Francën, Gjermaninë.

“Ne po vlerësojmë tregun, Gjermania është treg për shqiptarët. Jemi në linjë me tregun dhe preferencat e klientëve”, u shpreh ai. Drejtori i “Wizz Air” u ka dhënë përgjigje edhe kritikëve në Shqipëri për tre aeroporte sipas tyre, të panevojshëm në këtë vend. Ai ka marrë si shembull Rumaninë me 20 aeroporte dhe Poloninë me 15 aeroporte.

Varandi nuk i shikon aeroportet si numër, por sa efecientë jemi në menaxhimin e tyre.

“Një nga prirjet që ne kemi zbuluar në Evropë është që njerëzit nuk janë të përgatitur për të udhëtuar shumë deri në aeroporte, pra duhet të kenë aeroportin e tyre afër vendbanimit. Shikojmë disa vende të mëdha si Rumania që ka gati 20 aeroporte në vend, ndërsa Polonia ka 15 aeroporte. Duhet të jemi të zgjuar se si operon në këto aeroporte për të mos shpenzuar më shumë para, por në të njëjtën kohë, mendoj se sa më afër njerëzve të jesh, ata do të udhëtojnë më tepër. Mund të ndërtoni infrastrukturë aeroportuale në mënyrë të zgjuar. Unë nuk i shikoj aeroportet si numër, por në mënyrën se si e ndërton infrastrukturën, sa efiçentë jemi në menaxhimin e infrastrukturës. Nuk mendoj se ka një përgjigje që Shqipëria mund të ketë një, dy apo 3 aeroporte. Vendi duhet të sigurohet që këto investime të jenë të zgjuara dhe efiçente”, tha drejtori ekzekutiv i “Wizz Air”, Jozsef Varandi.