19-vjetori i vdekjes së ish-presidentit e themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova, si dhe inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, i dha shkas kandidatit të LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, që ta nisë më ndryshe fjalimin e fushatës në Vushtrri.
Duke uruar popullin amerikan për presidentin e ri e duke cituar thënien e Rugovës se “shtëpia nuk mbahet pa miq”, Abdixhiku u zotua për mirëmbajtje të relacioneve me SHBA-në.
“Zotohem këtu nga Vushtrria se me Qeverinë tonë të ardhshme, relacionet tona me SHBA-në, si përherë, do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme...Po ashtu zotohem se vizitën e parë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës do ta bëj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Abdixhiku.
Nga aleati i Kosovës, Abdixhiku tha se do të ketë edhe një kërkesë.
“Kërkesa e parë do të jetë që kampi “Bondsteel” të jetë i përhershëm në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Krahas ndihmës ndërkombëtare për siguri e mbrojtje, Abdixhiku theksoi se çka ka në plan Qeveria e tij në këtë drejtim.
“Do të kemi 10 mijë policë, në polici në bashki, pra policë për secilën lagje e vend. Do të kemi 6 mijë ushtarë, 4 kazerma të reja, dy lagje të reja ushtarake”, tha Abdixhiku.
Para vushtrriasve dha disa shembuj që nuk do t’i ndjekë ai, si kryeministër i ardhshëm.
“Në Republikën tonë, në atë që e ëndërrojmë, kryeministri i vendit nuk vendoset mbi prokurorinë, kryeministri nuk mbron hajninë, në Republikën tonë, pushteti nuk i sulmon mediat, nuk i sulmon gazetarët, nuk i sulmon oponentët politik e nuk sulmon fjalën e lirë”, tha ai.
Ish-kryetari i qytetit të Vushtrrisë e kandidati për deputet, Xhafer Tahiri, bashkëvendësve ua prezantoi disa pjesë të programit qeverisës të LDK-së që do të kenë ndikim në komunën e tyre.
“Projekti i LDK-së për shtrirjen e gypave të gazit nga Shkupi e deri në Mitrovicë, do të mundësojë, ndërtimin e ngrohtores së qytetit të Vushtrrisë me gaz. Kjo do të lehtësojë barrën e faturave të energjisë për qytetarët tanë dhe do të sjellë zhvillim ekonomik. Sepse, faturat e rrymës u janë dyfishuar qytetarëve tanë e kjo është e padrejtë. Edhe ngrohtoren e qytetit të Vushtrrisë do ta bëjmë bashkë”, tha Tahiri.
Takim elektoral me qytetarët e Vushtrrisë Abdixhiku mbajti edhe në një shkollë që mban emrin e ish-presidentit Rugova.