Profesori i historisë, Durim Abdullahu, ka thënë se shkrimtari Ismail Kadare ishte pjesë e sistemit, pasi sipas tij, nuk mund të ishte ndryshe, meqë jetonte në një shtet totalitar.
Sipas tij, në Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk mund të bëhej asgjë pa lejen e pushtetit.
"Ai ishte deputet për 12 vjet, ishte zv.kryetar i Frontit demokratik, që ishte organizata më e madhe e partisë. Ai ka kryer disa detyra, qoftë për të shpëtuar kokën e tij", ka thënë Abdullahu.
Ai po ashtu ka thënë se pas vdekjes së kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, kishte urdhër edhe për arrestimin e shkrimtarit.
"Pas vdekjes së Shehut, janë dy raste kur urdhërohet dhe kthehet mbrapsht urdhri i Hoxhës për arrestim. Ka një mori kërkesash e letrash për arrestimin e Kadaresë. Hoxha dha urdhër të arrestohet më '82 dhe '83", ka thënë Abdullahu.
Me këtë, nuk u pajtua profesori Agim Vinca.
"Nga ku këto informata", pyeti Vinca.
Vinca: Kadarenë e krahasojnë me Kafkan e Orwellin, por është më i afërt me Hemingwayn
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ka thënë se shkrimtari Ismail Kadare, është më i afërt me Ernest Hemingwayn, sesa me Franz Kafkan e George Orwellin, më të cilët sipas Vincës Kadareja është krahasuar këto ditë.
“Na mbytën këto ditë duke e krahasuar me Kafkan dhe Orwellin, Kadareja më i afërt është me Hemingwain, askush se thotë këtë, harron. Fillimisht kur e ka botuar ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, është thënë që ndjek parimin e asjbergut, parimi i ajsbergut ishte parim që Hemingwai e ka aplikuar, një shkrimtar nobelist po ashtu”, ka theksuar Vinca në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka deklaruar se poetët e preferuar të Kadaresë kanë qenë Naim Frashëri e Jeronim De Rada.
Sopi: Diktatori Hoxha dhe Kadareja kanë ditur ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin
Regjisori dhe shkrimtari Agim Sopi ka thënë se diktatori Enver Hoxha dhe shkrimtar Ismail Kadare kanë ditur ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin.
Sipas Sopit, Kadareja në fund ka dalë fitues,
“Raportet e Kadaresë dhe Enver Hoxhës nuk e besoj që kanë qenë me respekt të madh, por konsideroj që të dy kanë ditur ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Enveri me plane të sakta, ku do të mbërrijë dhe çfarë do të mbërrijë me Kadarenë, ndërsa Kadare e ka luajtur një lojë të humbësit, që ‘gjithçka ose asgjë’. Dhe mendoj që ka dalë fitues”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sopi ka vlerësuar se Kadare nuk ka bërë kompromis me letërsinë. Ka shtuar se vdekja e Kadaresë është “dita më e trishtë për popullin shqiptar”.
Jaha: Kadareja është më i mirë si poet, edhe pse njihet më shumë për prozator
Studiuesi i letërsisë, Besnik Jaha, ka thënë se ka 20 vjet që Kadare ka krijuar cilësi letrare.
Sipas tij Kadareja është më i mirë si poet.
“Për mua Kadare është më i mirë si poet, pavarësisht se është i njohur si prozator, Kadare ka lindur për të qenë poet”, ka theksuar Jaha i cili është edhe autor i librit “Distopia e Kadaresë”.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se në studime Kadareja ka qenë emri i parë i cili është përmendur prej çdo profesori të letërsisë.
“Ndoshta nga ligji i thjesht i fizikës, se trupi më i madh tërheq më shumë, ka gravitet më të madh, Karadeja ishte trupi më i madh i letërsisë, gjenerali i letërsisë shqipe”, është shprehur Jaha, tek ka treguar se pse e ka tërhequr vepra e Kadaresë.
Vinca: Ikja e Kadaresë, fundi i një epoke në letërsi
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ka thënë se vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare është fundi i një epoke në letërsinë shqipe.
Sipas tij, Kadare i ka dhënë vulë letërsisë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.
“Trashëgimi mbesin veprat. Njerëzit janë qenie të vdekshme, përfshirë edhe shkrimtarët. Ikja e Kadaresë është fundi i një epoke në letërsinë shqipe, ndoshta edhe në kulturë shqiptare sepse i ka dhënë vulën në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI”, ka thënë ai në “Konfront”.
Vinca e ka përshkruar Kadarenë si një shkrimtar që ka jetuar në “dy shekuj, në dy epoka, në dy sisteme, atë totalitar dhe demokratik”.
Sipas Vincës, në vitin 1961 shpërtheu “talenti poetik” i Kadaresë.
Shkrimtari Ismail Kadare vdiq në Tiranë paraditen e së hënës. Ai ishte 88 vjeç.