Arbëri

Abdullahu: Dikur flitej për njohjen nga Serbia, sot vetëm për normalizim raportesh

Faton Abdullahu

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka larguar mundësinë e njohjes së Kosovës nga Serbia nëpërmjet “normalizimit të raporteve”.

Ai ka thënë se dialogu i shtruar në Bruksel nga kryeministri Albin Kurti e pamundëson njohjen e Kosovës, duke shtuar se themelimi i këtij lloj Asociacioni të komunave me shumicë serbe nënkupton shkallë e tretë e pushtetit.

“Po flitet për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërsa përpara dialogu flitej për njohje. Ku mbeti në dialog njohja e Serbinë për Kosovën shtet? Nuk është njohja. Ka degraduar ky proces e po vazhdon. Asociacioni i tillë, ne kemi thënë se ka defekte, i kemi cekur defektet, po servohet një shkallë e tretë e pushtetit që është brengosëse dhe nuk ekziston në Kushtetutën e Kosovës...Normalizimi në këtë raport nënkupton largimin e njohjes si kërkesë bazike, që i bie ndryshe normalizimi nënkupton të harrohet njohja”, ka thënë Abdullahu të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas zyrtarit të PDK-së, Qeveria Kurti po prolongon punën dhe secilin vendim para zgjedhjeve, e sipas tij, ky ekzekutiv është dashur të largohet më herët, por “këtë do ta bëjë në shkurt”.

“Problemet në veri s’kanë të bëjnë për shkak të defekteve të kësaj qeverie apo të qeverive të kaluara. Problemi në këtë pjesë të Kosovës determinohet nga Qeveria e Beogradit, e shovinizmit...Serbia është fajtorja kryesore, jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk mund të mos themi se kjo Qeveri ka shumë faj për atë që po ndodh, por pse po i mashtron sërish qytetarët. Si PDK kemi thënë dhe themi se duhet të hapet Ura e Ibrit, duhet të hapet plotësisht, por s’bëhet. Për të hapur ura të reja, për të fituar në raport me Serbinë duhet të bashkërendohemi me SHBA-në dhe ta lëmë populizmin anash. Kjo Qeveri s’mund ta bëjë këtë. Kjo Qeveri është dashur të shkojë më parë”, ka thënë Abdullahu.

Zëdhënësi i partisë opozitare ka potencuar se kryeministri Albin Kurti i ka gënjyer qytetarët duke iu thënë se dialogu me Serbinë s’është prioritet.