Arbëri

Abdixhiku – Sarrazinit: Në qeverisjen time, LDK-ja do t’i japë prioritet Procesit të Berlinit

Lumir Abdixhiku-Manuel Sarrazin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka thënë emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se nëse LDK-ja merr pushtetin nga zgjedhjet e ardhshme, do ta ketë prioritet Procesin e Berlinit.

Kjo nismë sivjet shënon 10-vjetorin. Në 10-vjetorin e tij, samiti punimet do t’i zhvillojë në Berlin, ku në tetor do të mblidhen përfaqësues të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian.

“Në Selinë Qendrore të LDK-së, prita emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin. Në prag të 10 vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit, diskutuam për rëndësinë e participimit të Kosovës aty; dhe mundësitë e mëdha ekonomike që rrjedhin për Republikën e Kosovës. Si LDK, kemi mbështetur dhe mbështesim në plotni këtë proces; siç dhe presim nga Qeveria në largim përmbushjen e obligimeve finale në këtë drejtim duke mos dëmtuar pozicionin tonë aty”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. “Nga 9 shkurti, do t’i japim prioritet jo vetëm kësaj nisme strategjike, ku Kosova ka vend e rol të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, por dhe secilit proces tjetër integrues e konsolidues që ka ngecur për 4 vite rresht - fillimisht duke rikuperuar pozicionin tonë të rënduar e më pas duke avancuar drejt qëllimeve tona historike. Në qeverisjen time, konsolidimi shtetar dhe interesat e Republikës nuk kompromitohen me vendime populliste!”

Emisari gjerman sot nisi seri takimesh me liderët politikë në vend. Më herët gjatë ditës ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.