Arbëri

Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit për takim konsultues

Kurti-Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim konsultativ para seancës konstituive që do të mbahet më 15 prill.

Përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale të martën, Abdixhiku ka theksuar se fjalët dhe qëndrimet politike të shprehura ndaj LDK-së gjatë viteve nga Vetëvendosje janë të papajtueshme me një komunikim të tillë.

“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. [...] Sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka akuzuar Vetëvendosjen për përdorim të gjuhës përçarëse, ofenduese dhe etiketuese ndaj LDK-së, anëtarëve dhe votuesve të saj, “për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës”. Mes fyerjeve, Abdixhiku përmend etiketime si “hajvanat”, “bashkëpunëtorë të Serbisë” dhe “mbytje e LDK-së”.

“Mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, shton ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se partia që udhëheq i qëndron besnike parimeve të saj dhe se nuk do të pranojë sugjerime nga askush për mënyrën se si duhet të veprojë.

“LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”, theksoi Abdixhiku.

Ai konfirmoi se LDK nuk do të pengojë procesin e konstituimit të Kuvendit më 15 prill, dhe njeh të drejtën legjitime dhe kushtetuese të partisë së parë për të formuar qeverinë.

“Në rast të dështimit, LDK njeh të drejtën e çdo partie tjetër për të ndërtuar shumicën parlamentare. Qëndrimet tona janë të qarta”, ka shkruar Abdixhiku.

Të hënën (dje), Kurti përmes një letre ftoi për konsultim Abdixhikun, madje duke i dhënë tri orare të ndryshme të mërkurën ose të enjten.

Kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca, e pranoi sot se pa koalicion do të jetë e vështirë formimi i qeverisë nga Vetëvendosja.