Arbëri

Abdixhiku premton ta kthejë Sharrin në atraksion turistik

Lumir Abdixhiku

Kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore në Dragash e investim në malet e Sharrit ka premtuar të hënën kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës në këtë komunë. Abdixhiku në Dragash ka premtuar edhe mbulimin të shpenzimeve të kontratës kolektive

Në komunën më jugore të Kosovës, Dragash, ku në zgjedhjet lokale më 2021 fitoi në balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë një varg premtimesh për mbështetje qeveritare po qe se fiton në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. 

Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, të hënën është shprehur i gatshëm të intervenojë në të gjitha kërkesat që kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, tha se i ka shpërfillur Qeveria aktuale.

“Po kryetar do t’i mbulojmë shpenzimet e kontratës kolektive, po kryetar do t’i mbulojmë shpenzimet e fatkeqësive natyrore, po kryetar, do të ju ndihmojmë si qeveri qendrore, komunën fituese të Dragashit komunën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga 9 shkurti shteti kthehet tek ju”, ka premtuar ai.

E Xheladini pati edhe një kërkesë tjetër për kandidatin për kryeministër.

“Edhe zhvillimi i turizmit duhet ta ndjejë dorën e Qeverisë që ju e udhëhiqni”, është shprehur kryetari i Dragashit.

Abdixhiku ka thënë se investimi në malet e Sharrit është plan i tyre politik.

“Këto male të bukura që i keni, këto pasuri përrallore që i keni, këto vende të mrekullueshme që i keni, këto vende do të bëhen atraksione turistike jo vetëm për qytetarët e Kosovës por për të gjithë turistët e botës. Qeveria e ardhshme do të investojë në infrastrukturë rrugore për të hapur shtigje të reja, në bjeshkët tuaja të bukura, që ta shohë e gjithë bota sa e bukur është komuna juaj”, ka thënë ai.
Nga kjo komunë, Abdixhiku ka deklaruar se Qeveria e tij s’do të ketë mëshirë për të korruptuarit.
“Grantet e vjedhura do t’i kthejnë cent më cent, ky është zotimi im nga data 9 shkurt, i vitit 2025.

Sepse, ata që fusin duart në bukën e zotit, në bukën e popullit, në bukën e familjes do të përgjigjen edhe para popullit edhe para shtetit do të përgjigjen edhe para zotit se ndryshe nuk bëhet”, është zotuar ai.

Nga programi politik i tij, Abdixhiku shpalosi edhe disa zotime për pensionistët.

“Kam tri zotime për të gjithë pensionistët e Kosovës, nuk do të ketë pension më të ulët se 150 euro, do të ketë barna falas për të gjithë pensionistët e do të ketë rritje të pensioneve për 36.2 për qind gjithandej Kosovës”, ka premtuar kandidati për kryeministër.

Ndërkohë të hënën, LDK-ja ka organizuar edhe një konferencë për media. Zëdhënësi i fushatës së LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se partia ku bën pjesë ai është kundërshtarja kryesor e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Paniku i thellë e detyron atë të ulë nivelin e gjuhës duke përdorur një gjuhë të urrejtjes ndaj LDK-së, të cilën, e ka të qartë që e ka kundërshtarin kryesor më 9 shkurt”, ka thënë Mustafa, që është edhe kandidat për deputetë.

Mustafa ka thënë se LDK-ja është e gatshme të ofrojë progres, stabilitet e llogaridhënie ndaj qytetarëve. Sipas tij, në këto zgjedhje Lidhja Demokratike është alternativa reale për të ardhmen.

“Kosova nuk mund të përballoj edhe katër vjet të qeverisjes të LVV-së. Nën udhëheqjen e Lumirit LDK ofron vizionin e guximshëm dhe vendimtar që i duhet dëshpërimisht vendit tonë për të krijuar vende pune, për të mbajtur rininë këtu dhe për t’i kthyer dinjitetin tonë vendit në skenën ndërkombëtare. Pas katër vjetësh përçarjesh dhe ngecje ekonomike është e qartë se qeveria e udhëhequr nga VV e ka dështuar Kosovën”, është shprehur Mustafa.