Arbëri

Abdixhiku premton mbështetje për bujqit e finalizim të stadiumit në Rahovec

Para qytetarëve në Rahovec kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se për investimet në qytet do të dalë edhe jashtë programit politik, “Rruga e Re”. Si premtime i përmendi përfundimin e rregullimit të shtratit të lumit Drini i Bardhë, përfundimin e stadiumit të qytetit, hapjen e tregut të lirë për shitjen e rrushit në Shqipëri dhe ndërtimin e kolektorit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka premtuar mbështetje për bujqit në tubimin qendror elektoral të zhvilluar të enjten në qytetin e Rahovecit.

Për këtë synim Abdixhiku ka thënë se nën qeverisjen e tij Rahoveci do ta ketë zgjerimin e rrjetit të ujitjes së tokave bujqësore.

“Për bujqit në vend do të ketë grante e sigurime, që të sigurojmë produktet tuaja në mënyrë që puna juaj të mos humbet. Ne nuk kemi grante 100 mijë euro për vëllezër e dajë”, është shprehur Abdixhiku.

Para qytetarëve në Rahovec ai ka thënë se për investimet në qytet do të dalë edhe jashtë programit të tij politik, “Rruga e Re”.

“Përveç projekteve të parapara në programin e LDK-së, qytetarëve të Rahovecit, nga këtu ju them, do të përfundojë rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë. Po me qeverisjen e LDK-së do të përfundojë dhe stadiumi i qytetit dhe hapja e tregut të lirë për shitjen e rrushit në Shqipëri dhe ndërtimi i kolektorit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza”, ka premtuar Abdixhiku.

Nga Rahoveci kandidati i LDK-së për kryeministër ka premtuar edhe rritje të pagave, investime deri në 5 miliardë euro, buxhet vjetor prej 5 miliardë eurosh si dhe rritje ekonomike prej 5 për qind në vit.

Ai ka përmendur edhe ndërtimin e Spitalit të Kosovës, si një investim që “i prek edhe rahovecasit, dhe mësimin tërëditor”.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike, të enjten nëpërmjet një konference shtypi, e kanë kualifikuar “përbuzje ndaj qytetarëve” gjuhën e përdorur në fushatë nga eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Për këtë gjuhë Abdixhiku ka thënë në Rahovec se është mënyrë e mbulimit të dështimeve në qeverisje.

“Kjo kryengritje e juaja demokratike ka tmerruar pushtetin që po shkon. Mes britmave dhe ulërimave, pas vetes bart vulën e pashlyeshme të dështimit, të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe të mosdurimit. Dhe nga këtu, mes këtyre brohoritjeve tuaja, le t’ju themi qartë, as britmat dhe as ulërimat nuk mund t’i mbulojnë dështimet dhe dëmet që ia keni bërë këtij vendi”, ka thënë Abdixhiku.

Para Rahovecit, kryetari i LDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka qëndruar në Gjakovë, ku ka vizituar qendrën edukative e inovative, “Bonevet”. Aty Abdixhiku është informuar mbi shkathtësitë dhe kreativitetin e të rinjve, për të cilët ka premtuar se do të bëjë investime për edukim dhe për aftësim profesional.

“Jemi të interesuar në fushën e teknologjisë, edukimit dhe aftësimit të investojmë si shoqëri, sepse mjaft kemi investuar në projekte të mëdha kapitale të asfaltit. Koha është të investojmë në njeriun tonë, fëmijët tanë”, është shprehur ai.

Adbixhiku ka theksuar se me qeverisjen e tij, standardi i Bashkimit Evropian (BE) do të mbërrihet më shpejt sesa që këtë e parasheh Banka Botërore (BB).

“Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosovës do t’i duhen 80 vjet për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian. Nuk i kemi 80 vjet për të pritur, por duhet të shikohen alternativa të tjera”, ka deklaruar kandidati për kryeministër i LDK-së.

Prej kësaj qendre, Abdixhiku bashkë me bashkëpunëtorë të tjerë të partisë e ka vizituar edhe Çarshinë e Gjakovës, teksa në ecjen e tij në këmbë i janë bashkuar edhe një numër simpatizantësh të LDK-së.

Abdixhiku të enjten ka pasur takime me qytetarë edhe në disa fshatra të Suharekës. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, në Lidhjen Demokratike kanë shprehur entuziazëm për mbështetjen që i është ofruar Abdixhikut në fshatin Vraniq të Suharekës.

“Gjithçka flet për një ringritje popullore që dita-ditës po rritet, një kushtrim i fuqishëm që po jehon në gjithë Kosovën. Pavarësisht të ftohtit, qytetarët po qëndrojnë të palëkundur në besimin e tyre, duke treguar se kjo më nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një dëshirë e thellë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin”, është thënë në postimin e LDK-së.

Gjatë ditës përfaqësues të LDK-së dhe Abdixhiku kanë zhvilluar takime edhe me banorë të fshatit Mushtisht.