Arbëri

Abdixhiku premton investime kapitale për Lipjanin, Mustafa: VV-ja është në panik

Investim që ka lehtësuar jetën e përditshme të qytetarëve, e ka quajtur nënkalimin në Lipjan, kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në ditën e pestë të fushatës zgjedhor, Abdixhiku, lavdëroi punën e kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti.

E nëse e fiton besimin e qytetarëve më 9 shkurt për të udhëhequr me vendin, ai u zotua se do ta mbështesë këtë komunë me investime kapitale.

“Këto janë arsyet që institucionet tona duhet të investojnë në projekte strategjike, zhvillimore, afatgjate që krijojnë mirëqenie që krijojnë punë. Sa më pak fjalë, sa ma shumë punë, ky është qëllimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti është shembull se si punohet, dhe pas 9 shkurtit do ta keni edhe mbështetjen e Qeverisë qendrore që këto projekte t’i vazhdoni edhe më tutje”, tha Abdixhiku.

E Ahmeti, i cili edhe është kandidat për deputet, premtoi se do të vazhdojë me investime kapitale.

“Është një nga projektet më madhore që zgjidh problemet afatgjate të qytetarëve dhe parkingu dhe natyrisht hapësirat gjelbëruese që vazhdojnë të ndërtohen mbi parking janë problemet më akute më të nevojshme të qytetit tonë dhe besoj që kemi bërë një zgjidhje afatgjate”, tha Ahmeti

Ndërsa kandidati për deputet dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, u mor me partinë në pushtet.

Në një konferencë për medie, Mustafa, tha se Vetëvendosja është në panik, duke vlerësuar se kjo parti ka rënie të mbështetësve.

“Fakti që partia në pushtet u ikën paraqitjeve në televizione, i ikën debatit në televizione dhe zgjedh që të ketë tubime ku flet vetëm lideri i partisë, i cili çirret e piskat e duke ofenduar dhe sharë partitë e tjera në Republikën e Kosovë, tregon që partia në pushtet dhe lideri i saj janë në panik dhe kanë marrë informacione të sakta nga terreni nga bashkëbisedimet me qytetarë që janë në rënie të thellë”, tha Mustafa.

Lidhja Demokratike ka vazhduar tubimet me qytetarët e Klinës në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, e  pastaj në fshatin Kijevë të Malishevës, duke e përmbyllur me qytetarët në lagjen Bregu i Diellit në kryeqytet.