Plotë 5 miliardë euro investime ka premtuar kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një aktiviteti elektoral në Gurrakoc të Istogut. Ai tha se do ta bëjë edhe buxhetin vjetor të shtetit 5 miliardë euro, ndërsa mbështetësve në Gurakoc u premtoi edhe investime në turizëm
Aktivitetin elektoral kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka zhvendosur të shtunën në fshati Gurrakoc të Istogut. Abdixhiku tha se partia që drejton është shpresa e vetme për qytetarët.
“Le ta themi qartë, le ta themi thjesht, kur gjërat shkojnë keq, kur gjërat shkojnë mbrapsht, kur eksperimentet përfundojnë, e kur qytetarët tanë kërkojnë seriozitet, kur qytetarët tanë kërkojnë punë, kur qytetaret tanë kërkojnë shtet, ata kanë një adrës të vetëm, kanë një drejtim të vetëm, kanë një shtëpi të vetme, kanë LDK-në, shpresën e parë dhe të fundit të Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.
Në Istog, kandidati i LDK-së për kryeministër premtoi investime në zhvillimin e turizmit malor në zonën e Moknës, në infrastrukturë, arsim e bujqësi.
“Kur flasim për Moknën e juaj, malet e mrekullueshme, që është një thesar që pret të zbulohet, ne kemi një plan konkret për ta kthyer Moknën në një qendër të turizmit malor, e cila jo vetëm që do të pres vizitorë nga Kosova dhe rajoni, por do të krijojë edhe vende të reja të punës për banorët e gjithë kësaj zone. Do të investojmë në ndërtimin e infrastrukturës turistike, shtigjeve malore, pikave panoramike dhe hapësirave për aktivitete rekreative që do ta vendosin Gurrakocin në hartën e destinacioneve më të rëndësishme turistike në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.
Para pjesëmarrësve, ai ka folur edhe për planet në ekonomi.
“Në këtë rrugëtim tonin ne kemi projekte konkrete. Ne kemi 5 miliardë euro investime, kemi 5 miliardë euro buxhet, kemi 5 për qind rritje ekonomike. Në problemin e lartë të çmimeve ne e kemi zotimin e rritjes së pagave që në javën e parë”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Abdixhiku ka premtuar edhe furnizim të qëndrueshëm me energji, përmes investimit në centralin me gaz amerikan.
“Në Kosovën e territ, të qirinjve e të reduktimeve, në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke thënë ‘paskemi zhvillim ekonomik’, në këtë Kosovë, do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj. 500 milionë euro investim, për centralin me gaz amerikan, për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas edhe energji më të lirë”, ka thënë ai.
Fushatën zgjedhore, LDK-ja të shtunën e vazhdoi edhe në Mitrovicë.
Në këtë komunë, Abdixhiku tha se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës synohet anëtarësimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Edhe në Mitrovicë Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç ka thënë, dështim në realizimin e premtimeve për qytetarët.
Edhe aty ka shpalosur prioritetet e qeverisë së tij prej 5 miliardë euro në investime, 5 për qind rritje ekonomike, si dhe rritje të pagave për punonjësit në institucionet publike, e njëkohësisht kritikoi qeverinë për mospunë.
“Përgjatë katër vjetëve të shkuara njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar se si premtimet e mëdha kthehen në premtime të thata, se si ato humbasin peshën para-humbjes së shpresës, dhe me peshë e shpresë humbet edhe ëndrra për vendet e punës, pagat e larta, për shkollat e denja për të cilat kemi nevojë, për spitalet e shëndosha që na duhen, për drejtësinë e bardhë dhe për vetë jetën në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku. “Nuk jam këtu me fjalë të thata, por me program politik. Një program që ka 5 miliardë investime, program që ka 5 miliardë buxhet, 5 për qind rritje ekonomike për të rinjtë e të rejat tona, familjet tona, punëtorët tanë, për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Përkundër kritikave, para elektoratit kreu i LDK-së tha se është për bashkim e jo për ndarje.
“Prandaj nuk jam sot mes jush të ju ftoj në ndarje e përçarje. Të ju nxis në urrejtje ndaj tjetrit. Të ju ndajë në patriotë e tradhtarë, me mua apo me Serbinë. Jemi pak për tu ndarë. Jemi pak për tu sharë. Jemi pak për të nxitur urrejtje ndaj tjetrit. Kemi kundërshtarë jashtë mjaftë”, ka thënë Abdixhiku, i cili ka kërkuar votën e mitrovicasve, për, siç ka thënë, ndryshim e për kushtrimin e djathtë kombëtar.