Katër çerdhe të reja e disa projekte infrastrukturore do t’i përfitojë Lipjani me qeverisjen e Lidhjes Demokratike, ka thënë kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, të hënën. Ai është shprehur se qeveria qendrore e LDK-së do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë qytetarët e të gjitha komunave
Projekte infrastrukturore e investime në edukimin e hershëm të lipjanasve, ka premtuar kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit elektoral të së hënës.
Kryetari i kësaj komune, njëherësh edhe kandidat i LDK-së për deputet, Imri Ahmeti, është ankuar për mungesë mbështetjeje nga niveli qendror përgjatë gjithë mandatit të tij. Por, Abdixhiku e ka siguruar bashkëpartiakun, se qeveria qendrore e LDK-së do të sillet ndryshe me komunat.
“Në këtë Kosovë, i dashur Imri po vjen një qeveri e re që punon për ju. Që ju mbështet juve, që ju ndihmon si qytetarë të barabartë të kësaj Republike e jo që ju lufton vetëm pse jeni me Lidhjen Demokratike. Për 4 vjet, ju kanë lënë vetë, për 4 vjet e ardhshme s’do të jeni vetë”, është shpreh ai..
Në komunën që udhëheq partia e tij, Abdixhiku është zotuar se do të ndërtojë 4 çerdhe të reja.
“Më lejoni, që këtu para jush të zotohem se në ndërtimin e çerdheve do të keni mbështetje të madhe. Do të merrni ndihmën shtetërore në ndërtimin e 4 çerdheve, në Dobrajë të madhe, në Banullë, Magurë, Janjevë e kudo që ka nevojë për fëmijët e Lipjanit. I paçi fëmijët me shëndet që t’i rrisni e edukoni në ato çerdhe se për gjërat tjera do ta keni shtetin, do ta keni Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ky qytet nuk do të mbetet prapa në investimet infrastrukturore. Ka premtuar qasje për të në autostradat që synohet të bëhen.
“Zotohem para jush, para popullit para Zotit, se Lipjanit do t’i sigurohet kyçja në autostradë të Gjilanit, te rruga e Smallushës deri në qafë të Duhlës”, ka premtuar ai.
Kandidati për kryeministër ka dhënë edhe një zotim për një rrugë që nuk e ka përfunduar për 4 vjet mandat Qeveria aktuale.
“Më lejoni të zotohem se do ta ndërtojmë këtë rrugën nga QMI deri në Lipjan, që për 4 vjet ka mbet shkret. Do ta përfundojmë dhe atë shumë shpejt Imri, shumë shpejt”, është zotuar Abdixhiku.
Për implementimin e programit të LDK-së kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti iu ka kërkuar qytetarëve të tij që në zgjedhjet nacionale të vendosin ndryshe nga hera e kaluar.
“Qytetarët të dashur, ka ardhur koha që Kosova të fitojë një qeveri të përgjegjshme, të ndershme, profesionale, që sjell rezultate konkrete për qytetarët. Prandaj vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës është garancia e vetme për ta nxjerrë Kosovën nga ky dëshpërim dhe për t’i dhënë vendit drejtimin e merituar me kryeministër dr. Lumir Abdixhikun”, ka thënë Ahmeti.
E kur Ahmeti kërkon votë, Abdixhiku ka thënë se kundërshtarit të tij nga Vetëvendosje i prishet qejfi. Tek ka përmendur qeverisjen katër vjeçare e 30 ditët e fushatës, Abdixhiku ka deklaruar se alternativë është vetëm LDK-ja.
“Për 30 ditë fushatë nuk ofruan asgjë. Nuk kanë çfarë japin për 30 ditë fushatë, si për 1500 ditë të tjera qeverisëse, janë plot vrer, janë plot helm, janë plot nervozizëm, janë plot mllef. Besa, besa edhe fillon të ankohet e të qajë se pse Imri Ahmeti po kërkon votë për LDK. Keni kërkuar betejë politike, këtë betejë e keni tash, me më të mirët, më të zotët më të fortët”, ka deklaruar ai.
Kandidati i LDK-së për kryeministër ka premtuar edhe central me gaz, ku sipas tij, Lipjani do të bëhet udhëkryqi energjetik i Kosovës. Ka komentuar edhe bisedat që rrodhën në publik, ku pretendohet për kurdisje të tenderëve për energji.
Nën qeverisjen e tij, ka thënë se do të dalin para ligjit të gjithë ata që keqpërdorën paranë publike.
Pretendenti për kryeministër, ka deklaruar se LDK-ja do t’i rikuperojë marrëdhëniet me aleatët dhe do ta shtrojë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
“Na duhet të shtrojmë rrugën përpara drejt një Kosove anëtare të NATO-s dhe BE-së. Dhe ta kuptoni mirë, me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mikun më të madh të Republikës së Kosovës. Përballë nesh kemi frymën populliste që për 4 vjet na ndau, që për katër vjet na izoloi, që për katër vjet na mbajti të ndarë e të përçarë e na dëshmoi se nuk janë të aftë për asgjë. Ata folën mjaft për katër vjet. Tani është koha të flasim ne”, ka deklaruar Abdixhiku.