1.5 miliard euro investime për Prishtinën premtoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po qe se partia e tij del fituese më 9 shkurt. Zotimin për investime në infrastrukturë, në shëndetësi, arsim, kulturë e në sport, Abdixhiku e nënshkroi para qytetarëve dhe simpatizantëve të partisë në fushatën në kryeqytet
Me referencë në deklaratën e një dite më parë të kundërkandidatit të tij nga LVV-ja, pretendenti i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, e nisi takimin me qytetarë në Prishtinë, ku premtoi investime miliardëshe.
Ai para të pranishmëve tha se nuk merret me miza, pasi kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, tha të hënën se LDK-ja i ngjan me mizën që mirëpritet me duartrokitje, pa e ditur se çfarë tentohet t’i bëhet asaj me përplasje duarsh.
“Sot me Përparimin nuk e kemi ndërmend të flasim për miza, sot me Përparimin e kemi ndërmend të flasim për 1.5 miliard euro investime”, tha Abdixhiku.
Bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Abdixhiku prezantoi 7 projekte për infrastrukturë, shëndetësi, arsim, energjetikë, sport e kulturë.
“Projekti i parë që do ta bëjmë Përparim, është ta nënshkruajmë garancionin për projektin e unazës së jashtme të kryeqytetit. Do të mbështetet në tërësi nga buxheti i Kosovës. Kjo kosto për shpronësim është 150 milionë nga buxheti qendror. 206 milionë do të jetë investimi me Bankën Qendrore”.
Projekti i dytë që e shpalosi Abdixhiku qe ai për Spitalin e Kosovës, me vlerë 500 milionë euro. Premtoi edhe qendër kombëtare të sportit prej 120 milionë eurosh në Bërnicë,si dhe parkun teknologjik, në vlerë 45 milionë.
Kandidati i LDK-së për kryeministër u zotua të ndajë edhe 100 milionë euro për kulturë, 120 milionë për dyfishimin e kapaciteteve të Termokosit e 200 milionë euro për mësimin tërëditor.
E gjatë shpalosjes së premtimit, Rama u mor me shtesat prej 100 eurosh që ka ndarë Qeveria.
Abdixhiku e Rama më pas nënshkruan marrëveshje mbi zotimet. E nga të mbledhurit në sallën e kuqe në Pallatin e Rinisë, u kërkua edhe zotim verbal.
“Para zotit, para popullit, para familjes, para të gjithë vendit”, tha Abdixhiku.
Në ditën e katërt të fushatës, Abdixhiku zhvilloi tubime e takime me qytetarët edhe në Novobërdë e në Milloshevë të Obiliqit.