Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në tubimin elektoral në Suharekë ka thënë se programi politik i subjektit të tij është duke u kopjuar nga partitë e tjera. Në vend që ta kopjojnë, ai u ka bërë thirrje edhe kundërshtarëve të tij politikë që ta votojnë programin origjinal të LDK-së. Ai i ka përsëritur edhe premtimet për ndërtimin e një spitali të Kosovës si dhe të Centralit me gaz për stabilitet të furnizimit me energji
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partitë e tjera kanë nisur që ta kopjojnë programin politik të LDK-së, “Rruga e re”.
Në tubimin elektoral të mbajtur të premten në Suharekë, Abdixhiku ka thënë se më lehtë dhe më mirë do të ishte edhe për kundërshtarët e tij që të votojnë “programin origjinal” të LDK-së.
“Aq i mirë është ky program saqë përveç se po e lakmojnë partitë e tjera tani kanë nisur edhe ta kopjojnë. Ne mësim tërëditor, ata mësim tërëditor, ne central me gaz, ata central me gaz, ne investime në Brezovicë, ata investime në Brezovicë, ne koeficient, ata koeficient, ne pako për fëmijë, ata pako për fëmijë. Sa kopjojnë e lakmojnë, le t’ua bëjmë të thjeshtë, le të votojnë 124 le ta votojnë origjinalin, le ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Tek ka folur për mbështetje, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është adresa për të gjithë qytetarët që duan normalitet në Kosovë.
“LDK në këto zgjedhje është bërë adresë për të gjithë ata që nuk pranojnë të kenë një qeveri mbi ligj, të kenë një qeveri mbi shtet, të ketë një qeveri mbi kushtetutë. LDK është bërë adresë e të gjithë atyre që nuk pranojnë të kenë një pushtet që sulmon kundërshtarë, sulmon media e sulmon aleatë”, është shprehur ai.
Abdixhiku theksoi se nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të dalin fitues të djathtit.
“Do të doja për pak të shihni këtë sallë siç po e shoh sot. Flamuj të LDK-së, flamuri i Republikës, flamuri kuq e zi, flamuri i Amerikës, kështu bëhet një tubim i të djathtëve. Britmat e piskamat, sharjet, ofendimet, ofshamat e shterimet janë veçse zëra të panikut të ringritjes së djathtë që ka marrë hov, tashmë vrull, anembanë Kosovës”, është shprehur ai.
Në Suharekë, kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike ka përsëriti premtimet për implementimin e mësimit tërëditor edhe në shkolla të tjera, teksa për këtë zotim ka theksuar se ka nisur që të kopjohet edhe nga partitë e tjera.
“Aty ku ata nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë as libra, ne kemi mësim tërëditor, për shpresën e ardhme të këtij vendi, shujta të ngrohta, 8 orë në shkollë, fëmijë të dijshëm e të shëndoshë ky është misioni ynë”, është zotuar ai.
Abdixhiku ka premtuar rritjen e pensioneve për 36.2 për qind si dhe rritjen e pagave në sektorin publik me koeficient 150 euro.
“Aty ku kanë lënë pensionistët në lëmoshë, ne kemi rritje të pensioneve për 36.2 për qind, barna falas për pensionistë e asnjë pension më të ulët se 150 euro. Do të heqim atë praktikën e turpshme të lajmërimit të pensionistëve çdo 6 muaj se a janë gjallë apo të vdekur. Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta të ardhura me dinjitet. Prandaj koeficienti 150 që në javën e parë për shërbyesit civilë”, ka premtuar Abdixhiku.
Në Suharekë, Abdixhiku e ka përsëritur edhe premtimin për ndërtimin e një spitali të Kosovës si dhe të centralin me gaz për stabilitet të furnizimit me energji. Për të dy këto projekte, ai ka thënë se do t’i shërbejnë edhe Suharekës e edhe të gjithë Kosovës.
“Pra, ne kemi projekte infrastrukturore 5 miliardë euro investime në Kosovë për të përfunduar të gjitha magjistralet të gjitha autostradat për më pak se katër vjet. Pra, ‘Rruga e re’, projekti ynë ka 120 programe e projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, për qytetarët e Kosovës për ta bërë të ardhmen në këtë vend”, ka deklaruar Abdixhiku.
Teksa e ka përmendur ish-presidentin historik të Kosovës dhe ish-kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova, Abdixhiku ka bërë edhe një deklaratë për problemet që Kosova i ka me Serbinë.
“Aty ku ata na ndjellin frikën prej Serbisë, ne të djathtit, pasardhësit e Ibrahim Rugovës, kemi vetë krenarinë, jemi tjetër nivel nga 1989 deri më sot, liri, pavarësi, demokraci. E kemi mundur Serbinë një herë, do ta mundim përherë”, ka thënë Abdixhiku.
Pas tubimit qendror, të cilin e ka mbajtur në Suharekë, kryetari i LDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka mbajtur takim edhe me banorët e Piranës dhe të Ortakollit në Prizren.