Arbëri

Abdixhiku në Shtime premton kyçje në autostradë e në Krushë të Madhe sigurime bujqësore

Lidhja Demokratike fushatën zgjedhore e ka vazhduar në Shtime e në Krushë të Madhe. Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeverisja e tij do të jetë në të mirë të qytetarëve. Shtimjanëve u ka premtuar se do ta kenë vëmendjen e duhur e bujqve në Krushë dyfishim të subvencioneve dhe sigurime bujqësore

Kyçje në autostradën “Ibrahim Rugova” u ka premtuar banorëve të Shtimes kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.

Në tubimin elektoral të mbajtur të shtunën në këtë komunë, Abdixhiku ka thënë se me votën dhënë LDK-së më 9 shkurt, qytetarët do ta kenë një kryeministër që jep projekte dhe jo fjalë.

“Dua të ju drejtohem juve sot si kryeministër i ardhshëm i këtij vendi me zotimin se kërkesat e juaja si qytetarë dhe si qytet do të jenë prioritet për mua dhe për gjithë qeverinë e ardhshme të Republikës. Do të keni një kryeministër që i kupton hallet e juaja, që i shikon çmimet tuaja, i di pagat e juaja”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se ajo e ka lënë Kosovën “të vetmuar, pa miq e pa aleatë”.

“Kosova e përplasur me të gjithë për katër vite nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka marrë as edhe një anëtarësim, për katër vite nuk ka bërë asnjë hap drejt rrugëtimin tonë euroatlantik”, ka thënë kryetari i LDK-së.

E, tek ka folur për premtimin në lidhje me mbulimin e shpenzimeve në vitin e parë për të gjithë të porsalindurit, Abdixhiku ka thënë se si kryeministër do të punojë për fëmijët e familjet e qytetin e Shtimes.

“Një kryeministër që jep projekte e jo fjalë; ju bën bashkë e nuk ju ndanë; ju jep shpresë e jo frikë. Mbi të gjitha, një kryeministër rugovist që anëtarësimin në NATO e ka mision historik. Për këtë qëndroj unë dhe ekipi im. Për ketë kërkoj mbështetjen tuaj në Shtime tani. Njerëzit e Kosovës janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë, janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që propagandojnë por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndjenja e braktisjes”, ka thënë ai.

Para tubimit në Shtime, Abdixhiku ka zhvilluar takim edhe me qytetarë të Krushës së Madhe.

Bujqve të Krushës ai u ka premtuar mbështetje financiare dhe rritje të subvencioneve.

“Bujqit tanë, megjithatë kanë nevojë për mbështetje. Kanë nevojë për dyfishim të subvencioneve e jo pakësim të tyre, kanë nevojë për sigurime bujqësore që të mbroheni nga fatkeqësitë natyrore dhe ju garantoj që brenda vitit të parë të qeverisjes sonë, sigurimet bujqësore do të jenë për të gjithë Republikën e Kosovës, një ndihmesë për të gjithë punëtorët”, ka thënë ai në Krushë të Rahovecit.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë po ashtu se do të vihet drejtësi për ato që i quajti vjedhje të qytetarëve nga qeverisja aktuale.

“Ata që kanë vjedhur cep më cep ju themi nga Krusha e Madhe se paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent. Sepse ata që prekin bukën e Kosovës, ata që prekin familjet punëtore, do të dënohen edhe para vendit, edhe para Zotit, edhe para vet popullit. Drejtësia do të vije në vend për të gjithë”, ka thënë ai.

Abdixhiku edhe në Krushë të Madhe e ka përsëritur zotimin e tij për mbështetje financiare për fëmijët e porsalindur, e për të cilët ka thënë se do t’u mbulohen të gjitha shpenzimet.

“Fëmijët e Kosovës ta kenë shëndetin se për shpenzimet kujdeset shteti”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se për qeverisjen e vendit ka plan konkret e përmes tij parasheh mirëqenie për qytetarët.

“Për të gjithë rritjen e madhe të çmimeve që ka ndodhur për katër vite, Qeveria jonë do të krijojë jo vetëm investime por do të krijojë edhe paga të larta për çdo familje. Prandaj, pa humbur kohë, që në javën e parë, të gjithë shërbyesve të shtetit do t’i rritet paga me koeficient 150 euro, brenda javës së parë dhe ky është zotimi ynë publik”, deklaroi Abdixhiku.

Ai përmendi edhe premtimin për rritjen e pensioneve, themelimin e Ministrisë së Familjes, e realizimin e Planit Kombëtar për mësim gjithëditor.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, aktivitetin elektoral të dielën ka planifikuar ta vazhdojë me takime me qytetarë në Drenoc të Deçanit.