Arbëri

Abdixhiku në Prishtinë premton sallë 8 milionë eurosh për sporte elektronike

Tetë milionë euro investim në ndërtimin e një salle të sporteve elektronike ka premtuar të mërkurën kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Ndërtimi i kësaj salle, ka thënë Abixhiku, ka për qëllim që ta promovojë dhe ta zhvillojë Kosovën në një vend atraktiv për t’u vizituar nga sportdashës prej rajonit dhe më gjerë. E në tubimin pasues në Prizren, ai ka premtuar ndërtimin edhe të tetë çerdheve

Ndërtimin e një salle në vlerë prej 8 milionë eurosh për sporte elektronike e ka premtuar të mërkurën kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës që e ka zhvilluar në “Kubix gaming center” në Prishtinë. 

Abdixhiku ka thënë se duke qenë adhurues i lojërave elektronike, ai bashkë me ekipin e tij të fushatës ka punuar për ta sjellë një vizion më të qartë rreth kësaj fushe në Kosovë.

“Si shtet, mundemi me ndihmu shumë dhe njëra prej çështjeve që kemi për të ndihmuar praktikisht me programin tonë politik që e kemi, është ndërtimi i një gaming halli, 8 milionë euro investim, që do të thotë janë 2-3 mijë ulëse akomodim, ekrane të mëdha dhe zyra të tjera akomoduese në mënyrë që të përshtaten me këtë sallë të sporteve”, ka thënë Abdixhiku.

Kandidati i LDK-së për kryeministri ka shtuar se salla do të vendoset brenda Qendrës Kombëtare të Sportit, të cilën synon që ta ndërtojë në Bërnicë. E për ta trajtuar si sport, ai ka thënë se salla do të jetë afër stadiumit kombëtar të futbollit, palestrës së re kombëtare, pishinave olimpike si dhe afër fakultetit të edukatës së sporteve. 

“Është ideja e vetme inovative që e kemi në programin politik tani. Madje kemi edhe lokacionin e përcaktuar, e dimë vendin ku është, fondet e ndara, e bashkë me komunitetin duhet me e bo edhe set up-in edhe mënyrën se si duket”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka thënë se një prej qëllimeve për ndërtimin e kësaj salle është zhvillimi i Kosovës si vend atraktiv për t’u vizituar nga sportdashës nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

“E para, besoj që ne duhet të kontribuojmë në organizimin e turnirëve të veçantë. E dyta, është që të kontribuojmë jo vetëm me sponsorizime por edhe në atë çmimin, ‘price ful’” që i thoni, me qenë sa ma i lartë, që me pasë më tepër motiv njerëzit, me participu dhe me qenë komponentë kryesore e garës. Dhe, e treta, që është më e rëndësishme, që me qenë garë rajonale ose ndërkombëtare. Pra, me qenë Kosova vend atraksion për këtë sport. Janë disa fusha ku ne duhet të shkëlqejmë si shoqëri”, ka thënë ai.

Nga “Kubix gaming center”, Abdixhiku aktivitetin elektoral e ka vazhduar në Prizren. Aty, në një tubim me qytetarë, ka theksuar se asnjë parti tjetër nuk ka plan më të mirë për Prizrenin sesa LDK-ja.

“E them me përgjegjësi se nuk ka parti, nuk ka alternativë që jep më shumë për Prizrenin sesa që jep programi ynë, sesa që jep Lidhja Demokratike e Kosovës”, është shprehur ai.

Kandidati për kryeministër i LDK-së është zotuar njashtu të ndajë 10 milionë euro për Spitalin e Prizrenit dhe 12 milionë euro për ndërtimin e një stadiumi të futbollit.

“Do ta bëjmë një stadium modern futbolli, të kategorisë së UEFA-s. Mbështetje 12 milionë do ta keni nga qeveria qendrore për qytetin tuaj të bukur. Po aq, mbi 10 milionë euro, për spitalin tuaj që të jetë qendër e ekselencës që të ketë trajtim model për qytetarët e Prizrenit”, ka deklaruar ai.

E për fëmijët dhe nxënësit, Abdixhiku ka premtuar çerdhe të reja teksa ka theksuar se pas Prishtinës, Prizreni do të jetë qyteti që do ta nisë implementimin e mësimit tërëditor. 

“Do të nisim me ndërtimin e çerdheve të reja në këtë qytet. Plot 8 sosh, në mënyrë që ky qytet historik të ketë kujdes bazik për fëmijët e tyre, pasurinë më të madhe të shtetit e familjeve tona. Do të ndihmojmë dhe me mësim tërëditor, që fëmijë tanë të qëndrojnë 8 orë në shkollë, fëmijë të ushqyer mirë, të ngrohur mirë e të mençur”, ka thënë ai.

Sipas programit politik të LDK-së, “Rruga e re”, mësimi tërëditor synohet të zbatohet prej vitit të tretë të qeverisjes. Kjo synohet të bëhet në pesë komuna që do të zgjidhen si pjesë e një analize gjithëpërfshirëse. Implementimi i mësimit tërëditor, sipas programit të LDK-së, lidhet ngushtë me riorganizimin e shkollave dhe kompletimit të infrastrukturës së shkollave dhe çerdheve; në veçanti me pjesën e ushqimit dhe aktiviteteve kurrikulare e ekstrakurrikulare. Plani i LDK-së parasheh ndarjen e 20 milionë eurove në këto komuna të përzgjedhura. Në Prizren, Abdixhiku ka përsëritur edhe premtimet për rritje të pagave të të gjithë punëtorëve të shtetit me koeficient 150 euro, që në javën e parë të qeverisjes.