Arbëri

Abdixhiku: Kryesuesi ndërpreu seancën pa të drejtë, edhe pse kishte kuorum

bad

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.

Sipas Abdixhikut, seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.

“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin... Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka thënë se do të mblidhen pas 48 orëve dhe do t'i shprehin në Kuvend këto shkelje. 

Kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën e sotme konstituive pa hedhur fare në votim pikën e parë të rendit të ditës, raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. Është hera e dytë që dështon seanca konstituive. Kuvendi do të mblidhet të shtunën në orën 12:00.

Lexo përditësimet tjera
Avni Dehari

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit