Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, po vepron sipas skenarit të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, i ka bërë thirrje që ta respektojë procedurën siç parashihet.
Ai ka shtuar se janë të hapur për konsultime, siç ka paralajmëruar presidentja, derisa ka theksuar se “është për turp çfarë po ndodh deri tani”.
"Është me interes kombëtar që institucionet e Kosovës të formohen e të nis betimi i deputetëve. Ftoj të respektohet Kushtetuta dhe procedura. Shpresoj që kryesuesi i kësaj seance, që rastis të jetë më i vjetri e që rastis të jetë nga partia e parë, të respektoj skenarin e Sekretariatit të Kuvendit e jo skenarin e partisë. Nëse në Kuvend veprojmë me skenarë të partisë, kemi thyer rendin kushtetues. Ka një skenar të përgatitur nga Kuvendit të cilin ne e respektojmë".
Abdixhiku u shpreh se LDK-ja do të votojë kundër raportit për verifikimin e mandateve derisa qeveritarët nuk kanë dorëzuar dorëheqjet.
“Nëse ata janë të bindur se gjithçka është në rregull le të votojnë. Ne jemi të bindur se është antikushtetuese. Ne do të votojmë kundër. Ne nuk jemi kundër mandateve tona. Janë 105 deputetë me mandate të rregullta, janë vetëm 15 që nuk duhet t'u verifikohet mandati sepse nuk kanë dhënë dorëheqje”.
E, deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha “as Kuvend, as Qeveri”, kur u pyet nëse do të votojnë për apo kundër sot në seancën konstituive.
