Arbëri

Abdixhiku: Investimet në Viti do të jenë prioritet i Qeverisë

Mbështetjen qeveritare për Vitinë e ka premtuar kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, në tubimin zgjedhor që e realizoi në këtë komunë. Ai tha se nga investimet me 5-miliardëshin për projekte kapitale, do të përfitojë shumë edhe Vitia

Tubimi i Lidhjes Demokratike, i organizuar të shtunën në Viti, Sokol Halitit ia ka kujtuar atë që është organizuar 21 vjet më parë, kur partia drejtohej nga Ibrahim Rugova.

“E paskemi përsëritë tubimin e 2004-s kur ishte presidenti Rugova këtu, kryetar Abdixhiku”, ka thënë Haliti, tek u ngrit në tribunë para vitiasve.

Aktiviteti elektoral nisi me daulle e valle. E, secili pjesëmarrës, në ulëse gjeti vizitkarta të kandidatëve për deputetë dhe fletushka të mëdha me emrin e kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

Haliti, i cili është kryetar i Vitisë e edhe kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, u ankua për lënie anash nga qeverisja qendrore, të komunës që drejton. Tha se katër vitet e fundi kanë qenë sfiduese dhe zhgënjyese.

“Vetëm katër euro për kokë banori na i ka ndarë në ndarjen e re buxhetore. Kaq vlejmë ne për ta. Të lënë në mëshirën e fatit e pa mbështetje. Një çerdhe na e anuluan dhe e dërguan në një komunë të udhëhequr nga vet ata. Shkollën në Pozhoran e bllokuan për katër vite dhe gjatë zgjedhjeve donin ta pritnin shiritin ende pa përfunduar punimet”, ka thënë Haliti.

Ai përmendi edhe disa projekte infrastrukturore, të parealizuara.

“Njëjtë e neglizhuan rrugën Kllokot-Gjilan të nënshkruar në qeverinë e LDK-së e në të njëjtën formë vepruan edhe me zonën ekonomike, kyçjen në Gërlic e shumë projekte të tjera. Vitia e Kosova janë kthyer në terr 26 vite pas luftës”, ka thënë Haliti, i cili e përshkroi si të njëjtë situatën në gjithë Anamoravën.

E për t’iu dhënë zgjidhje këtyre problemeve, tha se duhet votuar LDK-në.

“Ne nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi dhe zhvillim të merituar për secilën familje, për secilin qytetar të Vitisë dhe të Anamoravës. Ky anashkalim duhet të ndalet me mjetin ideal demokratik, votën tuaj”, ka bërë thirrje Haliti.

E, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qasje e re ndaj komunave do të aplikohet në rast se subjekti politik që e drejton, do ta fitojë garën zgjedhore.

“Komuna juaj e bukur, punëtore, me njerëz të shkëlqyeshëm, do të ketë mbështetjen qeveritare pas 4 viteve neglizhimi, do të jetë prioritet i investimeve tona në këto 5 miliardë euro. Nga kyçja në Gërlic, te bërja e zonës ekonomike, te ndërtimi i çerdheve e nisja e mësimit tërëditor në këtë komunë fisnike, punëtore. Për këtë zotohem para jush në këtë tubim madhështor në Viti”, ka thënë Abdixhiku.

Para vitiasve, ai u zotua për rritje të pagave për shërbyesit civilë e për rritjen e pensioneve.

“Të gjithë shërbyesve civilë në vend do t’ua rrisim pagat që në javën e parë, me koeficient 150. Nga 200 euro në muaj për secilin punëtor të shtetit. Ky është zotimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për të pensionuarit do t’i rrisim pensionet 36.2 për qind, asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë më i ulët se 150 euro e barnat për të gjithë pensionistët në Republikën e Kosovës do të jepen falas, pa asnjë çmim, pa asnjë kompensim”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka premtuar se do t’i japë fund edhe kërkesës së institucioneve ndaj pensionistëve, që ata të lajmërohen fizikisht në zyra çdo gjashtë muaj.

“Pensionistët tanë nuk janë hajna, nuk janë mashtrues. Janë qytetarë të ndershëm. Do të ketë me të vërtetë një sistem që i trajton si të tillë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar se programi i LDK-së është i popullit e i përgjigjet vetëm atij.

“Në Republikën tonë kryeministri i një vendi nuk vendos mbi prokurorinë, kryeministri nuk e mbron hajnin. Në Republikën tonë pushteti nuk sulmon mediat… Ne Republikën tonë qeveria nuk e shkel Kushtetutën 10 herë, për t’u mburrur e jo skuqur 100 herë”, ka thënë ai.

Abdixhiku u largua nga Vitia, duke ua lënë edhe një porosi mbështetësve: “Shpërndajeni këtë lajm në çdo anë të Vitisë, në çdo rrugë e rrugicë, në çdo lagje e çdo shtëpi. Aty ku gjeni sharje e urrejtje e ankim për të shkuarën, jepuni njerëzve vullnet, shpresë e vizion për të ardhmen që i pret. Ankesat e frustrimin ua lëmë të frustruarve, punën e të ardhmen e bartim ne vet”.

LDK-ja e kandidati i saj për kryeministër aktivitetet elektorale i kanë vazhduar gjatë të shtunës edhe në Gjilan, ku është realizuar takimi me gratë, ndërsa në Zhegër me banorë të këtij fshati. Takime u zhvilluan edhe në Hajvali e Matiqan të Prishtinës.