Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria po i poshtëron minatorët. Ai ka thënë se minatorëve po u kërkohet llogari kur ajo duhet të kërkohet nga niveli drejtues.
Një ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati shkruar se në Trepçë duhet të ndahet punëtori nga jopunëtori duke thënë se persona të caktuar kanë marrë pagë nga Trepça pa shkuar fare në punë për muaj të tërë. Më tej e ka ofruar “përkrahjen e plotë” të Qeverisë ndaj Bordit dhe menaxhmentit të minierës së Stantërgut, e për minatorët ka theksuar se “pajtohemi në qëllime dhe parime”.
Abdixhiku e ka quajtur “arrogancë pushteti e sjellje”, duke shtuar se Qeveria po i shërben veç vetes, se nuk e kupton se është për udhëheqje e zgjidhje problemesh, “më së paku për ofendim, poshtërim e nënshtrim të hallgjorëve”.
“Këta kanë keqkuptuar shtetin. Kanë keqkuptuar rolet, kanë keqkuptuar përgjegjësitë, kanë keqkuptuar mbi të gjitha idenë se s’mund të sillen si kapadai! Emëruesit dhe mbrojtësit e Nagipit e Martinit, u kërkojnë llogari hajnish, besoni ose jo minatorëve të ngratë të lënë pa paga për tre muaj rresht! E ka katër vite që menaxhojnë vet me Trepçë. Ky pushtet ka caktuar Bordin e Trepçës! Ky pushtet ka caktuar menaxhmentin e Trepçës! Ky pushtet ka caktuar fatin pa paga të Trepçës! Përgjegjësi e plotë! Por marre nuk kanë hiç”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.